Momenti i nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit / Marrëveshja e Kuadrit e Ohrit e vitit 2001 përbën një nga momentet më përcaktuese të historisë bashkëkohore të Maqedonisë së Veriut, duke shënuar kalimin nga një konflikt i armatosur drejt një platforme politike që synon barazinë dhe stabilitetin. Megjithatë, kuptimi dhe zbatimi i saj në praktikë vazhdon të përballet me sfida konceptuale e gjeopolitike, që kërkojnë një lexim më të thellë analitik.
Marrëveshja e Ohrit, përballë sfidës së nacionalizmave
Që nga nënshkrimi i saj, Marrëveshja e Ohrit është përballur me rezistencën e dy nacionalizmave simetrikë. Në njërin krah, nacionalizmi etnocentrik maqedonas e ka perceptuar shpesh atë jo si një akt drejtësie apo bashkëjetese, por si një detyrim të imponuar, apo edhe si një lëshim sovraniteti që dëmton karakterin e shtetit. Në krahun tjetër, nacionalizmi popullist shqiptar në disa raste e ka përdorur marrëveshjen më tepër si kartë elektorale dhe mjet për përfitime partiake sesa si një frymë të plotë të barazisë qytetare e strukturore. Këto dy rryma e kanë mbajtur dokumentin brenda kornizës së një loje ku fitimi i njërit interpretohet si humbje e palës tjetër, duke penguar krijimin e një besimi të mirëfilltë ndëretnik.
Problemi i hezitimit për ta marrë si bazë Shtetndërtimi
Një nga pengesat kryesore në konsolidimin e shtetit mbetet hezitimi i elitave drejtuese për ta trajtuar Marrëveshjen e Ohrit si gur themeli të shtetndërtimit në Maqedoninë e Veriut, e jo thjesht si një pakt paqeruajtës. Ekziston një deficit i qartë konceptual: në vend që barazia etnike dhe gjuhësore të shihet si shtyllë e stabilitetit dhe integrimit euro-atlantik, ajo shpesh është reduktuar në teknikalitete administrative dhe formulime burokratike. Kjo qasje teknike ka krijuar një shtet që funksionon me mekanizma të përkohshëm në vend të një vetëdijeje të përbashkët shtetërore, ku secili komunitet e ndjen veten si aksioner të plotë dhe të barabartë.
Logjika sërbe si nxitëse e konfliktit të brendshëm Shqiptaro-Maqedonas
Për më tepër, stabiliteti i brendshëm në Maqedoninë e Veriut nuk është zhvilluar asnjëherë në vakum. Ai ka qenë i ekspozuar ndaj ndikimeve gjeopolitike rajonale, veçanërisht të doktrinave strategjike që ushqehen nga logjika e vjetër hegjemoniste serbe apo agjendat e tjera jopërendimore në Ballkan. Përmes strategjisë së kaosit të kontrolluar, mbajtja e marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase në një tension të përhershëm të fshehur ka shërbyer për të parandaluar konsolidimin e plotë të një boshti të qëndrueshëm pro-perëndimor. Narrativat e instrumentalizimit të frikës se njëra palë do ta zhbëjë shtetin apo se tjetra do të humbë identitetin janë ushqyer nga qarqe të jashtme për ta mbajtur vendin në një pozitë të brishtë gjeopolitike.
Mungesa e elitave me Integritet dhe kriza e ideologjisë Shqiptare
Në këtë kontekst, një nga pengesat më substanciale në realizimin e plotë të ideve strategjike shqiptare në Maqedoninë e Veriut mbetet mungesa e figurave me integritet moral, dije të thellë dhe dinjitet të pacënueshëm politik. Për vite me radhë, hapësira publike është mbushur me korniza oportuniste, ku fryma e guximshme intelektuale është zëvendësuar nga hezitimi, frika prej konfrontimit parimor dhe nënshtrimi ndaj presioneve të çastit apo konjukturave të pushtetit. Kjo krizë përfaqësimi ka bërë që "ideja shqiptare" — e cila duhet të përfaqësojë shtetndërtimin e barabartë, përparimin perëndimor dhe dinjitetin qytetar — shpesh të reduktohet në pazare ditore elektorale dhe në mbajtje të status-quo-së. Pa një elitë që e ushtron dijen pa kompleks inferioriteti dhe pa frikë ndaj diktatit politik, ideja e bashkëjetesës vizionare mbetet e cenueshme.
Brezi që lipset të kalojë përtej
Në këtë udhëkryq historik, brezi i ri politik, akademik dhe shoqëror në Maqedoni veriore përballet me detyrën për të bërë kapërcimin nga paqja e imponuar drejt një paqeje sociale e funksionale. Ky brez duhet të kalojë nga fokusi te traumat e vitit 2001 dhe ndarja e thjeshtë e pushtetit drejt përqendrimit te mirëqenia, sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik. Marrëveshja e Ohrit lipset të mos trajtohet më si një kufi ligjor për përfitime politike, por si frymë bashkëjetese që e sheh pluralizmin etnik si avantazh zhvillimor dhe jo si barrë.
Marrëveshja historike mes Shqiptarëve dhe Maqedonasve si akt moral
Përmbyllja e këtij procesi kërkon inteligjencë me përmasa historike dhe vizion politik nga të dyja palët për ta zbatuar marrëveshjen në plotëni dhe për ta zhvilluar atë më tej. Kjo do të thotë të kalohet nga germa te fryma e ligjit, duke e përkthyer barazinë formale në barazi reale mundësish. Ndërtimi i një identiteti shtetëror përfshirës, ku lojaliteti ndaj shtetit nuk kushtëzohet nga asimilimi identitar, është rruga e vetme për ta shndërruar Marrëveshjen e Ohrit nga një marrëveshje për ndalimin e konfliktit në një projekt të përbashkët të ardhmes euro-atlantike.
Pa shqiptarët Maqedonia Veriore nuk bën hapa para drejt idesë europiane, këtë lipset ta kuptojë elita maqedone. Por kur mungon brezi në të dyjat krahët proceseve u duhet kohë për tu realizuar, përtej Marrëveshjes së Ohrit./Pamfletimarrëveshja e ohrit arsim sinani Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Kryebashkiaku akuza të forta qeverisë: Rama më përjashtoi nga takimi, Kumbaro bllokon investimet për të shkrirë Memaliajn 13 Gusht 2026, 08:3908:39Politike Zjarret në vend, Koçeku akuza Ramës: Ka më shumë interes ta djegë dhe shfrytëzojë territorin sesa ta mbrojë 12 Gusht 2026, 18:5518:55Politike Sherr në mbledhjen e Ramës, Kryeministri shpërthen ndaj zërave kundër; kryebashkiaku i Poliçanit braktis takimin, përjashtohet ajo e Dimalit 12 Gusht 2026, 18:2618:26Politike Mbi katër orë diskutime për Reformën e re Administrative, përfn takimi i Ramës me 20 kryebashkiakët në Kuç 12 Gusht 2026, 17:0417:04Politike Dosja “Albanian Files”, Edi Rama paditet në SPAK 12 Gusht 2026, 14:2614:26Politike “Ujërat e Kosovës nuk i prek askush”, Berisha-Vuçiçit: Kërcënimet janë destabilizuese 12 Gusht 2026, 12:3012:30Politike

