Pas dy miqësoreve të para në stol, për Rolando Maran vjen momenti i së vërtetës. Nesër në “Air Albania”, Shqipëria nis zyrtarisht aventurën e re në Ligën e Kombeve, me përballjen ndaj Bjellorusisë. Një ndeshje që vlen tri pikë, por mbi të gjitha është testi i parë real për idetë e trajnerit italian, i cili ka folur për një Shqipëri që duhet të luajë për vendin e parë në grup.
Në konferencën për shtyp, Maran pritet të zbulojë më shumë për mënyrën se si do ta ndërtojë skuadrën, zgjedhjet që ka në dispozicion dhe qasjen ndaj një kundërshtari që Shqipëria duhet ta përballojë me shumë kujdes, por edhe me ambicien për të nisur me fitore. Përgatitjet: “Bjellorusia është një skuadër kompakte dhe po ecën shumë mirë. Kemi shumë respekt për ta. Përtej kësaj, unë jam mësuar të përgatis dhe të përqendrohem te skuadra ime. Kemi punuar shumë mirë, sepse kemi gjetur menjëherë stimujt e duhur. Kjo është gjëja më e rëndësishme për mua.” Top Channel

