Lajme Zone
Lufta si armë elektorale: Irani shpreson t'i përsërisë Trump fatin e Jimmy Carter
PolitikëPamfleti

Lufta si armë elektorale: Irani shpreson t'i përsërisë Trump fatin e Jimmy Carter

Për shumë njerëz brenda Iranit, hakmarrja ndaj Trumpit konsiderohet tashmë një objektiv më vete i luftës. Kjo gjendje shpirtërore u pasqyrua edhe në funeralin e udhëheqësit suprem Ali Khamenei, ku thirrjet për ndëshkim dhe kundërpërgjigje ishin të shumta.

Teherani synon të zgjasë negociatat me SHBA-në deri pas zgjedhjeve të mesmandatit (midterm), duke shpresuar se një konflikt i gjatë do t'i kushtojë politikisht Donald Trump. Donald Trump Teherani ka paraqitur një kalendar të zgjatur negociatash, i konceptuar në mënyrë të tillë që Donald Trump të mbetet i përfshirë në konfliktin me Iranin deri në zgjedhjet e mesmandatit, me shpresën se lufta do t’i shkaktojë presidencës së tij një dëm politik të krahasueshëm me atë që pësoi Jimmy Carter gjatë krizës së pengjeve në ambasadën amerikane në Teheran mes viteve 1979 dhe 1981.

Për shumë njerëz brenda Iranit, hakmarrja ndaj Trumpit konsiderohet tashmë një objektiv më vete i luftës. Kjo gjendje shpirtërore u pasqyrua edhe në funeralin e udhëheqësit suprem Ali Khamenei, ku thirrjet për ndëshkim dhe kundërpërgjigje ishin të shumta.

Zyrtarët iranianë nuk i kanë besuar kurrë Shteteve të Bashkuara që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979. Por kjo armiqësi tani është drejtuar gjithnjë e më shumë personalisht ndaj Trumpit.

Ai jo vetëm që u tërhoq në vitin 2018 nga marrëveshja bërthamore, e cila ishte negociuar me vështirësi, por gjithashtu autorizoi vrasjen e komandantit ushtarak Qassem Suleimani dhe përfshiu dy herë Iranin në negociata për programin e tij bërthamor, përpara se të niste operacione ushtarake kundër tij.

Në Teheran gjithashtu i kushtohet vëmendje faktit se Trump nuk ka shprehur pendesë për vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit dhe as për tentativën ndaj jetës së presidentit iranian, Masoud Pezeshkian.

Ndërsa afrohen zgjedhjet e mesmandatit të nëntorit, mundësia e një goditjeje të rëndë politike për Trumpin është kthyer në një temë të vazhdueshme spekulimesh në Teheran.

Mediat iraniane ndjekin nga afër rënien e mbështetjes për presidentin amerikan dhe e lidhin atë me mungesën e popullaritetit të luftës dhe me çmimet e larta të naftës. Po ashtu, ato analizojnë në hollësi ndryshimet brenda Partisë Demokratike në SHBA.

Vëmendja ndaj zgjedhjeve të mesmandatit u bë edhe më e dukshme këtë javë, kur zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, deklaroi për agjencinë shtetërore IRNA se, pasi të arrihet një marrëveshje për kalimin e anijeve tregtare nëpër Ngushticën e Hormuzit, do të duheshin edhe dy deri në katër muaj për të hyrë në fazën e dytë të negociatave mbi programin bërthamor iranian.

Sipas Gharibabadit, plani fillestar parashikonte që faza bërthamore e negociatave të niste brenda 30 ditësh nga nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit mes Iranit dhe SHBA-së në qershor. Megjithatë, ai tha se administrata Trump e kishte braktisur këtë plan.

Për të arritur në fazën e dytë, ai renditi një sërë kushtesh dhe pengesash: heqjen e sanksioneve, përfundimin e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane, zhbllokimin e aseteve iraniane dhe angazhime të reja për mosagresion.

Ky proces mund të zgjasë përtej zgjedhjeve të mesmandatit.Nëse Teherani arrin ta zbatojë këtë kalendar, Trump mund të hyjë në zgjedhje pa asnjë angazhim të ri nga Irani lidhur me armët bërthamore, ndërkohë që do të mbajë mbi vete një faturë të rëndë ekonomike për një luftë pa rezultat të qartë.

“Kjo krijon një skenar shumë të mundshëm të cikleve të vazhdueshme të konfliktit mes SHBA-së dhe Teheranit për Ngushticën e Hormuzit”, tha Jason Brodsky nga organizata United Against a Nuclear Iran, e cila ka mbështetur luftën.

“Nuk do të ketë qetësi të vërtetë para zgjedhjeve të mesmandatit. Teherani nuk ka asnjë interes t’ia japë këtë avantazh administratës Trump. Ai do të vazhdojë ta zgjasë lojën”, tha Brodsky.

Agjencia Mehr News, e afërt me Gardën Revolucionare Islamike, publikoi një analizë sipas së cilës Irani e ka vendosur Trumpin përballë një dileme të madhe.

“Vazhdimi i luftës mund të rrisë presionin politik dhe ekonomik mbi qeverinë dhe të përshpejtojë rënien e popullaritetit të tij. Nga ana tjetër, tërheqja ose lëvizja drejt uljes së tensioneve mund të interpretohet nga disa mbështetës të Trumpit si braktisje e premtimeve të tij elektorale”, shkroi agjencia.

Nga ky këndvështrim, rezultati i luftës mund të mos përcaktohet në fushëbetejë, por në kutitë e votimit.Sipas Mehr News, rezultati i zgjedhjeve mund të ndikojë në politikën e brendshme dhe të jashtme amerikane për vite me radhë.

Forcat më të ashpra në Iran duan ta largojnë SHBA-në nga rajoni jo përmes negociatave, por duke përdorur kontrollin mbi hyrjet në Ngushticën e Hormuzit si mjet presioni.

Pak njerëz në Iran i marrin deklaratat e Trumpit pa rezerva.Megjithatë, mohimet e tij se zgjedhjet e mesmandatit ndikojnë në strategjinë amerikane ndaj Iranit shihen me skepticizëm të veçantë.

Mediat iraniane i referohen komenteve të Marc Zell, kryetar i Republicans Overseas Israel, i cili ka thënë: “Gjithçka lidhet me zgjedhjet e mesmandatit. Publiku amerikan është thjesht i lodhur nga lufta dhe administrata po lundron me kujdes në ujërat paraelektorale për të shmangur marrjen e kontrollit të Kongresit nga demokratët.”

Deklarata të tilla ushqejnë debatin brenda Iranit se sa rëndësi duhet t’u japë Teherani zgjedhjeve të mesmandatit në përllogaritjet e veta strategjike.

Disa besojnë se humbja e kontrollit të Kongresit do ta kufizonte Trumpin ose madje mund të çonte drejt një procesi shkarkimi. Të paktën, sipas tyre, kjo mund t’i japë fund financimit të luftës.

Mostafa Zahrani, ish-diplomat iranian, argumentoi se një humbje elektorale “do ta bëjë të pashmangshme që Trump të mos mund t’i rikthehet luftës dhe ta marrë seriozisht procesin e negociatave”.

Të tjerë nuk pajtohen me këtë logjikë.Nasser Hadian, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Teheranit, argumenton se Irani duhet të përfitojë tani nga pozita e tij, në vend që të presë dobësimin e Trumpit.

“Nëse humbet, ai do të ketë më pak nxitje për të arritur një marrëveshje me Iranin, sepse në atë rast do të jetë më i dobët dhe Izraeli e të tjerët do ta kenë shumë më të lehtë ta sulmojnë politikisht, gjë që tani nuk guxojnë ta bëjnë”, tha Hadian.

“Ata që thonë se duhet të presim zgjedhjet e mesmandatit nuk e kuptojnë politikën amerikane”, shtoi ai.

Dëshira e Iranit për ta parë Trumpin të mundur politikisht do të kishte më pak vlerë nëse presidenti amerikan do të arrinte në pikën ku mendon se nuk ka më asgjë për të humbur.

Megjithatë, diplomatët iranianë në përgjithësi besojnë se liria e tij për të vepruar do të kufizohet nga mungesa e popullaritetit të një konflikti të ri dhe nga shqetësimi i kandidatëve republikanë për zgjedhjet presidenciale, të cilët do të kërkonin mbylljen e luftës.

Në të kundërt, Trump do të rrezikonte që i gjithë mandati i tij i dytë të dominohej nga një luftë e kushtueshme dhe e pasuksesshme.Pyetja më e madhe, megjithatë, është se çfarë dëshiron të arrijë vetë Irani.

Vendimi për ta mbajtur konfliktin në një gjendje tensioni deri në nëntor nuk i jep përgjigje kësaj pyetjeje, një çështje që iranianët duket se e kanë më të lehtë ta debatojnë sesa ta zgjidhin.

Presidenti Masoud Pezeshkian, i cili punon në koordinim me kryenegociatorin Mohammad Ghalibaf, ka deklaruar vazhdimisht se nuk dëshiron një luftë pa fund dhe këmbëngul se pothuajse i gjithë Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare ndan të njëjtin qëndrim.

Ai vazhdon të ketë besim te memorandumi i mirëkuptimit me SHBA-në dhe thotë se ai duhet të shërbejë si gur themeli i politikës së jashtme iraniane.

Por gazeta konservatore Kayhan e cilëson memorandumin të pavlerë, me argumentin se SHBA-ja shkel gjithmonë angazhimet e veta.

“Për këtë arsye, zyrtarët duhet ta dinë se Ngushtica e Hormuzit nuk është një mjet pazari dhe nuk duhet të hapet si korridor për Amerikën”, shkroi gazeta.

Si konservatorët, ashtu edhe të moderuarit, e shohin luftën si një moment që mund të çojë drejt një arkitekture të re të sigurisë rajonale.

Por linja më e ashpër vendos theksin te dëbimi i SHBA-së nga rajoni dhe e sheh këtë më pak si çështje negociatash dhe më shumë si diçka që duhet imponuar.Sipas kësaj qasjeje, kontrolli i hyrjeve në Ngushticën e Hormuzit mund të përdoret si levë për të ushtruar presion mbi bazat amerikane në rajon.

Pezeshkian, në anën tjetër, thotë se sheh hapësirë për investime të ligjshme amerikane në Iran.Ish-ministri i Jashtëm Javad Zarif argumentoi në një ese këtë javë se, në një “epokë post-polare”, Irani do të përfitonte nëse në të ardhmen nuk do të varej vetëm nga Rusia dhe Kina.

Sipas tij, një “politikë e jashtme e ekuilibruar dhe shumëdimensionale” do ta ndihmonte Teheranin të shmangte marrëdhënie të ndërtuara vetëm mbi nevojën.

“Vazhdimi i tensioneve të pakontrolluara me Shtetet e Bashkuara jo vetëm që i imponon Iranit kosto të drejtpërdrejta, por e bën edhe më të vështirë për vende të tjera, përfshirë partnerë të afërt si Kina dhe Rusia, që të bashkëpunojnë me Iranin”, shkroi Zarif.

Në fund, dilema e Teheranit pasqyron deri diku edhe paqartësinë e Uashingtonit.

Ashtu si Trump shpesh ndryshon tonin ndaj Iranit nga një deklaratë në tjetrën, edhe brenda Iranit nuk ekziston një qëndrim i përbashkët për atë që vendi mund të fitojë realisht nga marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara./ Përshtatur nga The Guardiandonald trump iran zgjedhjet e mesmandatit Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Inteligjenca Amerikane ngre alarmin: Putini do të testojë NATO-n me një sulm ndaj një vendi anëtar 7 Gusht 2026, 13:3513:35Rajoni dhe Bota Vala e të nxehtit “përvëlon” Evropën/ Temperaturat kalojnë 40 gradë, Italia në “alarm të kuq”; rekorde në Austri e Sllovaki 7 Gusht 2026, 12:2412:24Rajoni dhe Bota “Shuplakë për rusët” apo lojë diplomatike, pse po shkon Zelensky në Serbi të takojë Vuçiç? 7 Gusht 2026, 11:5211:52Rajoni dhe Bota Misteri për Mojtaba Khamenein, mediat në Iran: Lideri suprem në gjendje të rëndë, së shpejti do të njoftohet vdekja e tij 7 Gusht 2026, 10:5510:55Rajoni dhe Bota Testamenti para-zgjedhor i Vuçiç: Të gjithë trashëgimtarë, askush pasardhës... 7 Gusht 2026, 10:3010:30Rajoni dhe Bota Nga Shqipëria në Ruanda: Pse s’ka leverdi t’i çosh migrantët në vendet e treta 7 Gusht 2026, 09:5609:56Rajoni dhe Bota