Kuvendi i Kosovës Të gjitha palët vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën, por askush nuk e sheh problemin te vetja... Premtime, bisedime, dialog, propozime pa fund, akuza, krizë dhe zgjedhje. Kjo është situata në Kosovë gjatë dy viteve të fundit, me një politikë egoiste që e ka futur vendin në një tunel të errët, ku drita e shpresës në anën tjetër nuk duket askund.
I gjithë ngërçi politik në Kosovë i ngjan “Aksionit Paralel” në romanin “The Man Without Qualities” (Njeriu pa cilësi) të Robert Musil. Në roman, komisioni i madh, i përbërë nga elita politike, intelektuale dhe aristokratike e Perandorisë Austro-Hungareze, ngarkohet të organizojë një festë madhështore për jubileun e 70-vjetorit të ngjitjes në fron të perandorit Franz Joseph. Por, në vend që të prodhojë diçka konkrete, aksioni shndërrohet në një varg të pafund takimesh, propozimesh, kompromisesh, debatesh ideologjike dhe manovrimesh që nuk çojnë askund. Të gjithë flasin, të gjithë propozojnë, të gjithë "punojnë", por asgjë e vërtetë nuk vendoset. Sistemi vazhdon të funksionojë në formë, ndërsa thelbi mbetet i paralizuar.
Kjo është pikërisht ajo që po ndodh sot në Kosovë. Edhe pse në më pak se dy vite vendi ka zhvilluar katër palë zgjedhje, liderët e partive politike nuk duket se kanë ndërmend të lëshojnë pe, në mënyrë që Kosova të krijojë institucionet e saj dhe të vijojë punën në shërbim të qytetarëve të Kosovës, si dhe përmbushjen e kushteve për rrugëtimin drejt familjes evropiane.
Përkundrazi, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u ndërpre edhe sot, pasi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për vazhdimin e bisedimeve politike lidhur me çështjen e presidentit. Pas betimit të deputetëve dhe formimit të Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, Kurti nuk propozoi kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe deklaroi se konstituimi pa një marrëveshje për presidentin mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit mbetet hapi i fundit për përfundimin e procesit. Sipas Kushtetutës së Kosovës, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, megjithatë mosrealizimi i këtij afati nuk prodhon automatikisht pasoja juridike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikoi rezultatet më 8 korrik 2026, ndërsa afati nisi të rrjedhë më 9 korrik. Kjo do të thotë se Kuvendi ka kohë deri nesër në mesnatë për t'u konstituuar. Megjithatë, kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Situata aktuale, megjithatë, delegjitimon funksionimin institucional. Nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 5 tetor, vendi shkon në zgjedhje, pra 60 ditë pas përfundimit të afatit për konstituimin e Kuvendit.
Opozita ka hedhur akuza ndaj Kurtit për këto vonesa. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e quajti kërkesën e Kurtit të papërgjegjshme dhe e akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për mungesë serioziteti, ndërsa deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se shtyrja është një taktikë për të fituar kohë dhe për të zvarritur konstituimin e Kuvendit. LDK-ja, nga ana tjetër, ka vendosur si kusht çështjen e presidentit për të konkretizuar negociatat.
Në fund, të gjitha palët vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën, por askush nuk e sheh problemin te vetja. Presidenti i pazgjedhur është kthyer në simbolin e një shteti të bllokuar nga llogaritë politike. Paradoksi është se posti që ende nuk ekziston po dikton fatin e të gjitha institucioneve. Dhe, ndërsa orët kalojnë e afatet shterojnë, Kosova mbetet pezull mes zgjedhjeve të shkuara dhe atyre që mund të vijnë, duke pritur jo vetëm një president, por mbi të gjitha një vullnet politik që ta nxjerrë nga ky rreth vicioz. Ndonjëherë nuk është mungesa e zgjidhjeve që i mban vendet në vendnumëro, por mungesa e guximit për t'i zgjedhur ato./Pamfletikosova kurti presidenti Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Kosova Ngërçi në formimin e institucioneve, SHBA-BE thirrje partive politike në Kosovë: Është koha për progres dhe stabilitet 6 Gusht 2026, 19:0219:02Kosova Alarm për bombë në Prishtinë, policia rrethon stacionin e autobusëve! 6 Gusht 2026, 18:4218:42Kosova Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Tahiri akuza Kurtit: Po kërkon kontroll mbi të tre institucionet 6 Gusht 2026, 12:2712:27Kosova Betohen deputetët e Kuvendit të Kosovës, Kurti kërkon kohë shtesë për diskutimet mbi Presidentin 6 Gusht 2026, 11:4211:42Kosova Hamza mesazh Vetëvendosjes: Përgjegjësia për krijimin e institucioneve është e juaja 6 Gusht 2026, 11:3811:38Kosova Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Haziri: Po punojmë me Vetëvendosjen, presidenti mbetet kërkesë e jona 6 Gusht 2026, 10:5910:59Kosova

