Aktorja e njohur amerikane Susan Sarandon ka bërë një deklaratë të fortë nga Festivali i Filmit në Venecia, duke thënë se mbështetja e saj e hapur për Palestinën i ka sjellë pasoja në karrierën profesionale.
79-vjeçarja tha se kohët e fundit i janë hequr role në filma, pasi disa agjenci të industrisë së filmit u kanë thënë njerëzve që të mos e punësojnë.
“Kam pasur ende filma që më janë marrë së fundmi, sepse ka agjenci që u thonë njerëzve të mos më punësojnë”, deklaroi Sarandon gjatë një konference për shtyp në Venecia, ku po prezanton filmin e saj të ri, The Echo Chamber.
Deklaratat e saj u raportuan fillimisht nga Reuters, e cila thekson se Sarandon vazhdon të përballet me pasoja profesionale për qëndrimet e saj pro-palestineze.
Aktorja, fituese e çmimit Oscar për Dead Man Walking, tha se situata është veçanërisht e vështirë kur bëhet fjalë për studiot e mëdha.
“Kur bëhet fjalë për një studio të madhe, nuk është vetëm me mua, por edhe njerëz të tjerë u është thënë se kjo është e pamundur”, u shpreh ajo.
Sarandon argumentoi gjithashtu se perceptimi publik për konfliktin Izrael-Palestinë ka ndryshuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit.
“Mendoj se narrativa ka ndryshuar plotësisht për sa i përket rëndësisë historike të Palestinës dhe lidhjeve të sionistëve me Amerikën dhe politikën tonë”, tha ajo, duke shtuar se për shumë njerëz ka qenë një zbulim të kuptuarit se sa para i japin Shtetet e Bashkuara Izraelit.
Sarandon është prej vitesh një prej zërave më të njohur në Hollywood në mbështetje të kauzës palestineze. Në vitin 2023, ajo u largua nga agjencia e saj e talenteve UTA, pas pjesëmarrjes në protesta pro-palestineze dhe deklaratave të saj lidhur me konfliktin.
Pavarësisht vështirësive profesionale që pretendon se ka hasur, aktorja tha se ndihet e mirëpritur jashtë Shteteve të Bashkuara.
“Ndërkombëtarisht, ndihem e mirëpritur”, tha Sarandon, duke falënderuar regjisorin Andrea Pallaoro që nuk dëgjoi paralajmërimet për të mos e përfshirë në filmin The Echo Chamber.
Filmi, në të cilin Sarandon luan rolin e një këngëtareje, është pjesë e garës kryesore të Festivalit të Filmit në Venecia dhe konkurron për Luanin e Artë, çmim që do të jepet më 12 shtator.
Deklaratat e aktores vijnë në një moment kur debati mbi lirinë e shprehjes së artistëve dhe pasojat profesionale të qëndrimeve të tyre politike është rikthyer fuqishëm në qendër të vëmendjes në Hollywood.

