Lajme Zone
Kush po i censuron zërat kritikë në Shqipëri?
PolitikëPamfleti

Kush po i censuron zërat kritikë në Shqipëri?

Përfaqësuesit e faqes “Flamingo Revolution”, e cila prej më shumë se tre muajsh dokumenton protestat në Shqipëri përmes fotove dhe videove, thonë se e vunë re problemin pasi disa përdorues i njoftuan se nuk mund të përdornin më funksionin “Collab”, që mundëson publikimin e përbashkët të përmbajtjeve.

Mbyllje llogarish, heqje postimesh, kufizim i funksioneve dhe ulje e shtrirjes së përmbajtjeve. Dhjetëra raste të lidhura me “Revolucionin e Flamingove” ngrenë dyshime për manipulim të mekanizmave të raportimit në rrjetet sociale, ndërsa Edi Rama mohon çdo përfshirje të qeverisë… Përfaqësuesit e faqes “Flamingo Revolution”, e cila prej më shumë se tre muajsh dokumenton protestat në Shqipëri përmes fotove dhe videove, thonë se e vunë re problemin pasi disa përdorues i njoftuan se nuk mund të përdornin më funksionin “Collab”, që mundëson publikimin e përbashkët të përmbajtjeve.

“E kuptuam që në mëngjes, kur disa persona na dërguan pamje nga ekrani dhe na thanë se nuk mund të bashkëpunonin më me ne. Fillimisht menduam se ishte thjesht një problem teknik i përkohshëm”, tregojnë përfaqësuesit e faqes.

Më vonë, po atë ditë, administratorët zbuluan se Instagrami kishte hequr tre postime, me argumentin se shkelnin të drejtat e autorit. Administratorët paraqitën ankesë dhe, pas 3 ose 4 ditësh, disa prej përmbajtjeve nisën të riktheheshin.

“Disa postime nisën të shfaqeshin sërish. Në total ishin hequr rreth dhjetë përmbajtje. Pas katër ditësh na u rikthye edhe mundësia për të përdorur funksionin ‘Collab’”, thanë ata.

Administratorët e faqes, dyshojnë se problemi mund të jetë shkaktuar nga një numër i madh raportimesh ndaj përmbajtjeve të tyre. “Mendojmë se arsyeja lidhet me numrin e madh të raportimeve, pasi përmbajtjet që kemi publikuar janë tonat dhe nuk janë marrë nga burime të tjera”, deklaruan ata.

Rasti i “Flamingo Revolution” nuk është i izoluar. Ai i bashkohet një serie incidentesh të ngjashme të raportuara nga aktivistë dhe faqe të tjera që kanë qenë aktive gjatë protestave.

Aktivistja dhe gazetarja Alesia Burnazi, e cila ka ndjekur protestat për një audiencë të gjerë ndërkombëtare, thotë se problemet me profilin e saj nisën më 19 gusht, kur Instagrami filloi të hiqte videot që ajo kishte publikuar gjatë protestave.

Fillimisht llogaria e saj u kufizua dhe ajo humbi mundësinë për të përdorur funksionin “Collab”. Më pas u hoqën rreth dhjetë video, mes tyre edhe materiale personale dhe profesionale, me pretendimin se shkelnin të drejtat e autorit.

Mes përmbajtjeve të hequra, Burnazi përmend videot që lidhen me mbërritjen e diasporës shqiptare dhe konferencën ndërqeveritare me Marta Kos në Bruksel. Pas ankesave, videot u rikthyen, por më 3 shtator llogaria e saj u mbyll përfundimisht.

“Nuk pata mundësi as ta apeloja vendimin e Metës dhe as të paraqisja një ankesë. Nuk mora asnjë email zyrtar nga Meta apo Instagrami”, thotë Burnazi. Sipas saj, rrjetet sociale kanë luajtur një rol të rëndësishëm gjatë protestave, pasi janë përdorur për të shpërndarë pamje nga terreni dhe për të informuar qytetarët.

“Kjo është censurë dixhitale ndaj lirisë së shprehjes dhe gazetarisë së pavarur në Shqipëri. Kam raportuar në anglisht që nga ditët e para të Revolucionit të Flamingove, në një moment kyç kur mediat tradicionale shqiptare zgjodhën të heshtnin”, deklaron ajo.

Një tjetër rast është ai i faqes “Studentët n’Protestë”. Sipas përfaqësuesve të grupit, faqja fillimisht pësoi një rritje të pazakontë të numrit të ndjekësve. “Llogaria jonë u bombardua papritur me një fluks artificial prej më shumë se 2 mijë ndjekësish falsë më 12 gusht dhe 5 mijë të tjerë më 13 gusht. Duke gjurmuar origjinën e këtij trafiku, zbuluam se ai orkestrohej përmes një platforme të quajtur topfolloëers.com. Qëllimi ishte të komprometohej faqja jonë dhe të aktivizoheshin filtrat antispam të Instagramit”, deklaruan ata.

Më 17 gusht, 13 postime u hoqën njëkohësisht për shkelje të pretenduara të të drejtave të autorit. Administratorët thonë se bëhej fjalë për video origjinale të xhiruara prej tyre gjatë protestave.

“Meta nuk na dërgoi asnjë njoftim…Zgjidhja e vetme që patëm ishte të ‘manipulonim’ inteligjencën artificiale Meta AI, duke i kërkuar të gjente për ne postimet e fshira. Falë AI-së, arritëm t’i apelonim vendimet dhe t’i rikthenim”, thanë ata për OBCT.

Pas ankesave, postimet u rikthyen. Por më 29 gusht, llogaria u pezullua plotësisht. Pas kontaktimit me ekipet e Metës për të drejtat e njeriut dhe sigurinë, si dhe pas raportimit të rastit te Repro Uncensored, llogaria u rikthye.

Repro Uncensored, një organizatë që dokumenton censurën dixhitale dhe ndihmon në rikthimin e llogarive të bllokuara, thotë se ka trajtuar më shumë se 50 raste shqiptare të lidhura me “Revolucionin e Flamingove”.

Sipas themelueses dhe drejtoreshës ekzekutive të organizatës, Martha Dimitratou, përveç mbylljes së llogarive janë identifikuar edhe kufizime të tjera që ndikojnë në mënyrën se si përmbajtjet arrijnë te publiku.

“Në tërësi, llogaritë e prekura arrijnë te qindra mijëra njerëz, të cilëve tani u është kufizuar qasja te informacioni i shpërndarë nga aktivistë, gazetarë dhe organizatorë të protestave”, thotë Dimitratou.

Repro Uncensored ka dokumentuar gjithashtu raste të “shadoëbanning”, ulje të shtrirjes së përmbajtjeve, si dhe kufizime që pengojnë llogaritë të bashkëpunojnë me profile të tjera apo të përdorin funksione të caktuara të platformës.

Sipas Dimitratou, në rastet e trajtuara nga organizata, problemi nuk lidhet domosdoshmërisht me përmbajtjen e publikuar, por me mënyrën se si platformat përpunojnë raportimet e bëra nga palë të treta.

Në disa raste, pas ndërhyrjes së Repro Uncensored, përmbajtjet janë rikthyer dhe Meta

ka pranuar se heqjet ishin bërë gabimisht. Organizata thotë se nuk ka gjetur prova që përmbajtjet e protestave të trajtuara prej saj të kishin shkelur realisht rregullat e të drejtës së autorit apo politikat e platformës.

“Është alarmante se sa lehtë mund të ndodhë kjo, sidomos kur sistemet automatike të raportimit vendosin kufizime përpara se pretendimet të verifikohen siç duhet”, thotë Dimitratou.

Repro Uncensored deklaron se po shqyrton disa raste për të përcaktuar nëse raportimet e përsëritura ndaj llogarive të ndryshme janë pjesë e një operacioni të koordinuar. Edhe Citizens.al, një nga mediat që ka ndjekur nga afër zhvillimet mjedisore dhe më pas protestat e “Revolucionit të Flamingove” që prej ditës së parë, ka përjetuar mbylljen e faqes së saj në Facebook.

“Faqja e Citizens.al në Facebook u mbyll pa asnjë paralajmërim”, deklaroi redaksia, duke shtuar se nuk bëhet fjalë për sulmin e parë ndaj saj. Dy vjet më parë, media ishte përballur me një tjetër sulm që kishte prekur platformat e saj online dhe faqen zyrtare.

Më herët ishte mbyllur edhe faqja zyrtare në Instagram e Euronews Albania. Sipas televizionit, mbyllja ndodhi pak pas një interviste me eurodeputetin Sandro Gozi, i cili po fliste pikërisht për mbylljen e llogarive shqiptare në rrjetet sociale.

Shoqata e Gazetarëve Shqiptarë ka shprehur shqetësim për këto zhvillime. “Mbylljet në seri të faqeve të mediave, në një kohë kur raportohen probleme me qindra llogari shqiptare, nuk mund të konsiderohen më si një incident i izoluar apo thjesht një problem teknik”, deklaroi shoqata.

Çështja e llogarive të pezulluara ka marrë tashmë edhe një dimension ndërkombëtar. SafeJournalists dhe partnerët e rrjetit Media Freedom Rapid Response u kanë bërë thirrje platformave sociale që të mbrojnë mediat dhe llogaritë me interes publik nga manipulimi i koordinuar i mekanizmave të raportimit.

Organizata u ka kërkuar platformave të bëjnë dallimin mes raportimeve dashakeqëse dhe shkeljeve reale, të garantojnë shqyrtim njerëzor për rastet e dyshimta dhe i ka kërkuar Metës të hetojë përdorimin e raportimeve masive, bot-eve dhe abuzimit me mekanizmat e mbrojtjes së të drejtës së autorit.

Partnerët e Media Freedom Rapid Response (MFRR), SafeJournalists Netëork (SJN) dhe organizata të tjera të lidhura me këto rrjete kanë shprehur shqetësim për incidentet e fundit në Shqipëri, ku media, gazetarë, iniciativa qytetare dhe llogari të tjera me interes publik janë përballur me kufizime të pashpjegueshme, heqje përmbajtjesh dhe tentativa të dukshme për të manipuluar sistemet e moderimit të rrjeteve sociale.

Ndërkohë, Partia Demokratike Evropiane (PDE) i ka kërkuar Metës shpjegime lidhur me pezullimin e llogarive shqiptare që lidhen me opozitën, aktivistët dhe protestat. Sekretari i përgjithshëm i PDE-së dhe eurodeputeti Sandro Gozi e ka ngritur gjithashtu çështjen pranë Komisionit Evropian.

PDE i ka kërkuar Metës të sqarojë nëse pezullimet janë shkaktuar nga raportime masive të koordinuara, nga sistemet automatike të moderimit apo nga përpjekje për të manipuluar mekanizmat e raportimit.

Partia ka pyetur gjithashtu nëse Meta ka marrë kërkesa apo komunikime nga autoritetet publike ose aktorë politikë shqiptarë lidhur me llogaritë në fjalë. Në përgjigje të PDE-së, kryeministri Edi Rama mohoi në rrjetin social X çdo përfshirje të qeverisë në mbylljen apo kufizimin e llogarive.

“Nuk kemi absolutisht asnjë lidhje me çaktivizimin apo kufizimin e asnjë llogarie në rrjetet sociale dhe nuk disponojmë kapacitetin teknik për të kryer një operacion të tillë”, shkroi Rama./Pamfleti nga “Balcani Caucaso”kush po i cnesuron zërat kritikë në shqipëri Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Padia e gjyqtarëve për pagat, metafora e reformës së deformuar 10 Shtator 2026, 20:0520:05Forum Po unë pse në burg?! 10 Shtator 2026, 15:1915:19Forum Sikur Lana të mbyste bulevardin me baltë 10 Shtator 2026, 13:3013:30Forum Programi i ri politik i Partisë Demokratike 10 Shtator 2026, 08:1608:16Forum Kapja e shtetit, ligjet me porosi dhe kontratat publike 9 Shtator 2026, 12:4812:48Forum Eksperimenti i Ramës: A mund të ndërtohet një vend mbi arkitekturë dhe propagandë? 9 Shtator 2026, 12:1012:10Forum