Durrësi, kryeqyteti detar i vendit, ka një traditë të çuditshme: në dimër lahet në lumenjtë e ujërave të zeza që shpërthejnë nëpër rrugë, kurse në verë pret me orë të tëra, me bidona në dorë, që t’i vijë radha për një pikë ujë nga rubineti i thatë. E kur kjo mrekulli ndodh, uji nuk vjen thjesht i papastër, por me “firmën” e bakterit E. coli – tregues i qartë i ndotjes fekale. Simptomat mund të përfshijnë diarre të rëndë, të vjella dhe, në raste të caktuara, komplikacione serioze, veçanërisht te fëmijët dhe të moshuarit. Por problemi më i madh nuk është te natyra, por te fakti se në krye të kësaj katastrofe qëndrojnë të njëjtët njerëz që prej vitesh e kanë kthyer ndërmarrjen në çiflig personal.
Në krye të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Durrës është emëruar tashmë Migen Duka si administrator. Por lëvizja e vërtetë ka ndodhur më poshtë: Olsen Kavalli, i cili ishte administrator nga tetori 2025, është larguar nga ky post dhe është vendosur sërish si kryeinxhinier. Ndërkohë, Tonin Doda vazhdon të mbajë njëkohësisht dy poste drejtuese – drejtor i mirëmbajtjes dhe drejtor i kanalizimeve (Drejtoria e Ujërave të Ndotura). Deri para pak javësh, ai mbante edhe postin e tretë, atë të kryeinxhinierit. Kështu, edhe pse në letër ka ndryshuar drejtori i përgjithshëm, kontrolli praktik mbi mirëmbajtjen e rrjetit, pusetat dhe kanalizimet mbetet te e njëjta dyshe: Kavalli si kryeinxhinier dhe Doda si drejtues i dy sektorëve më kritikë.
Në këtë teatër absurditeti, emri i Tonin Dodës (i njohur dikur edhe si Tonin Deda) nuk është aspak i panjohur për drejtësinë, por duket se është i pazëvendësueshëm për kolltuqet e UKD-së. Më 16 mars 2015, Gjykata e Durrësit e priti me pranga në duar, duke i caktuar masën “arrest me burg”, së bashku me ish-drejtuesin teknik Franc Stajka. Akuzat? Të rënda dhe klasike: shpërdorim detyre, pas një kallëzimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Si anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ata dyshoheshin se kishin qepur tenderët me porosi për furnizimin me ujë të zonës Spitallë–Porto Romano–Bisht Pallë, si dhe për rikonstruksionin e rrjetit në Shkozet e Sukth, duke i shkaktuar shtetit një dëm të përllogaritur në rreth 30 milionë lekë. Policia u vuri prangat, por kohërat kalojnë, kurse karriget e UKD-së duket se kanë aftësinë magjike të vetëpastrimit moral.
Më shumë se një dekadë më vonë, i njëjti person rikthehet sërish në pikat më jetike të ndërmarrjes: te mirëmbajtja dhe kanalizimet. Ironikisht, pikërisht aty ku pusetat pështyjnë ujëra të zeza në mes të rrugës dhe ku përmbytjet janë kthyer në spektakël sezonal.
Prapa dyerve të mbyllura të UKD-së, administrata, sipas denoncimeve të brendshme, lëngon nën një diktaturë të fshehtë, ku punonjësit trajtohen si pengje dhe institucioni si çiflig personal. Krerët e ndërmarrjes akuzohen se përdorin një arsenal terrori psikologjik dhe kërcënimesh banale për bukën e gojës, duke i shantazhuar punonjësit se do t’i fluturojnë nga puna apo do t’i sulmojnë familjarisht nëse guxojnë të lëvizin nga ana e gabuar. Sipas tyre, Tonin Doda ulëret, bërtet, nuk pyet për askënd dhe e trajton stafin me përbuzje, ndërsa kush guxon të hapë gojën rrezikon të shohë derën e ndërmarrjes nga ana tjetër.
Por ky presion, sipas denoncimeve, nuk ndalet te korridoret dhe zyrat. Ai shkon deri te laboratori dhe te ajo që përfn në gotën e qytetarëve. Punonjësit pretendojnë se, kur analizat nxjerrin mostra uji me bakterin E. coli – tregues i qartë i ndotjes fekale – rezultatet manipulohen me urdhër nga lart. Sipas tyre, Doda ndërhyn në përgjigjet e laboratorit, ndërsa përgjegjësit mbyllin gojën nga frika e hakmarrjes. E vërteta “fshihet me fshirëse”, rezultatet pastrohen në letra dhe qytetit i mbetet të pijë atë që i vjen nga tubacionet.
Nëse këto denoncime qëndrojnë, atëherë nuk bëhet më fjalë vetëm për një pusetë të bllokuar apo një rubinet të thatë, por për fshehjen e një rreziku që prek drejtpërdrejt shëndetin e një qyteti të tërë. Përpunimi i ujit mund të dështojë, por kontrolli mbi zërat kritikë dhe mbi rezultatet e laboratorit, sipas denoncuesve, funksionon me precizion.
Dhe ndërsa në laborator, sipas punonjësve, luftohet me rezultatet, jashtë luftohet për një pikë ujë. “Vollga” – zemra turistike dhe shpirti i Durrësit – mund të mbetet pa ujë për tri ditë me radhë, ndërsa kanalizimet kanë plasur nga të katër anët. Këto mund të jenë ende zëra anonimë nga brenda, por përkojnë çuditërisht me çdo dimër përmbytjesh dhe çdo verë të thatë që banorët e qytetit detar e vuajnë në kurriz të tyre.
Por nëse uji mungon, paratë për ujërat e zeza nuk mungojnë kurrë.
Sapo Olsen Kavalli ngrohu karrigen e administratorit, nuk humbi kohë me detaje teknike “të parëndësishme”, si furnizimi me ujë apo pastrimi i qytetit, por u dha dritën jeshile letrave të tenderit për “Pastrimin e kolektorëve të ujërave të ndotura”. Një faturë e kripur prej 597 milionë lekësh si fond limit, e cila, me TVSH, kapërcen shifrën marramendëse të 710 milionë lekëve. I shpallur në shkurt dhe i vulosur në mars të vitit 2026, fituesi nuk ishte ndonjë surprizë kozmike: kontrata përfi te kompania e Sahit Dollapit (ONIX/ONYX).
Dollapi, ndërkohë, nuk është aspak ndonjë biznesmen i dalë nga hiçi. Ai është një “veteran” i institucioneve dhe ekraneve, me një CV që përfshin postin e drejtorit të Ujësjellësit të Tiranës, drejtorit të KESH-it, administratorit të CEZ-it (ku, siç ka zbuluar dikur media, i kishte caktuar vetes një rrogë modeste prej rreth 5 mijë eurosh në muaj), si dhe ish-sekretarit organizativ të Partisë Demokratike. Që nga dorëheqja e tij politike në vitin 2021, kompania e tij duket se ka fituar një patentë ekskluzive për zhbllokimin e pusetave nga Tirana në Durrës, Korçë e Lushnjë, duke garuar shpesh si e vetme në fushë. Në Durrës, ai nuk është fytyrë e re: që nga dhjetori i 2020-s, bashkë me “Balili Konstruksion” të Engjëll Balilajt, ka futur në xhep një tender mbi 1 miliard lekë për rikonstruksion kolektorësh. Edhe në garën e 2026-s, skenari u përsërit me saktësi zvicerane: konkurrentët e tjerë ishin thjesht emra të vjetër, ortakë apo bashkëpunëtorë të tij, të kujdesshëm që ofertat t’i bënin gjithmonë pak më të kripura sa duhej, për t’i hapur rrugë “fituesit të natyrshëm”.
Matematika e këtij shërbimi është po aq ironike sa edhe fati i Durrësit. Sipas hulumtimeve mediatike, faturat e pastrimit të pusetave kanë pësuar një inflacion të çmendur: nga rreth 250 milionë lekë në vitin 2023, u kërcyen në rreth 500 milionë në prill të 2025-s, për të prekur majën pranë 600 milionë lekëve në këtë pranverë të 2026-s. Paratë fluturojnë lart në miliona, ndërsa qytetarët e Durrësit, sa herë bie shi, duhet të zgjedhin midis varkës dhe çizmeve të larta për të kaluar rrugën.
Pasi Durrësi u mbyt sërish në ujërat e zeza të stinës, ndërmarrja e ujësjellësit mendoi se problemi i vërtetë i qytetit nuk ishin pusetat e plasura, por… rehatia e zyrave të drejtorisë. Vetëm dy muaj pas përmbytjeve, UKD hapi një tender prej 108 milionë lekësh për fasada e kolltukë të rinj, ku fituese u shpall kompania “Everest” sh.p.k., me një faturë prej 106.5 milionë lekësh, mbështetur nga nënkontraktorë si “UST-01” dhe “Person Fizik Jonida Dupi”. Burimi i këtyre parave? Asnjëherë i sqaruar publikisht, ndërkohë që vetë shoqëria e UKD-së kishte pasur guximin financiar të regjistronte humbje në plot 8 bilance radhazi. Kur bilancet qajnë, drejtorët gëzojnë zyra të reja!
Por kulmi i cinizmit u prek në prill të 2026-s, kur u firmos tenderi për “ndërtimin e sistemit të furnizimit dhe kanalizimeve nga kufiri i pronës deri te pika e lidhjes për investimin Marina” – bëhet fjalë për rrjetin e ujit të projektit privat “Durrës Yachts & Marina” të magjistarit të betonit Alabbar. Një fond limit prej afro 300 mijë eurosh (28.8 milionë lekë pa TVSH), me një afat rekord prej 3 muajsh, i vulosur dhe firmosur nga vetë Olsen Kavalli. Dokumentet flasin për dhjetëra mijëra banorë që do të përfitojnë atje, ndërkohë që në qytet pothuajse një e treta e banorëve hapin rubinetin dhe gjejnë vetëm ajër, ose mbyten te kolektorët e bllokuar. Kur bëhet fjalë për oligarkët dhe Marinën private, paratë publike derdhen lumë; kur bëhet fjalë për qytetarët e thjeshtë, lëshohen vetëm premtime dhe erë e rëndë.
Në sfondin e kësaj katrahure qëndrojnë miliona euro të shpenzuara ndër vite: projekte evropiane për ujërat e zeza, impiante në Gjirin e Lalzit, ndërhyrje në lagjet 7, 10, Shkozet apo Porto Romano. Madje, për t’i vënë kapakun, kujtojmë kohën e ish-drejtorit Spartak Kovaçi, kur media denoncoi konflikte interesi me tendera ku shfaqej babai i tij te firma “Adriatik”. E pra, cikli është perfekt: UKD falimenton, emrat e vjetër ndërrojnë karrige apo zhduken, emrat e rinj ulen në kolltukë të shtrenjtë, por përmbytja dhe mjerimi mbeten të tyret, të përjetshme.

