Zhvillimet pas arrestimit të Ergys Agasit dhe Uljan Shpatarakut janë zhvendosur në Tiranë. Pak pas ndalimit të tyre në zonën e Plepave, autoritetet kanë kryer një kontroll në banesën e ish-zyrtarit të Policisë, në zonën e Liqenit të Thatë.
Kontrolli është zhvilluar nga forcat e Policisë dhe agjentë të BKH-së, në kuadër të hetimeve për dosjen e tenderëve të AKSHI-t. Në banesë janë verifikuar ambiente të ndryshme, ndërsa në fokus të hetuesve kanë qenë dokumente, pajisje elektronike dhe materiale të tjera që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të çështjes.
Shpataraku dhe Agasi u arrestuan në Durrës, teksa udhëtonin me një automjet që vinte nga Elbasani. Në momentin e ndërhyrjes së policisë, automjeti drejtohej nga Shpataraku, ndërsa Agasi ndodhej në sediljen e pasagjerit.
Ky i fundit ishte në kërkim nga SPAK prej rreth tetë muajsh, pasi ndaj tij ishte caktuar masa “arrest në burg” në lidhje me hetimet për procedurat e prokurimeve të AKSHI-t.
Për hetuesit, prania e Shpatarakut në krah të Agasit merr një tjetër dimension për shkak të rolit që ai ka pasur më herët në Policinë e Shtetit. Ish-zyrtari ka drejtuar struktura të Policisë në Elbasan dhe ka qenë më parë në varësi të Ilir Prodës. Karriera e tij në polici përfi në maj të këtij viti, kur ai u përjashtua nga radhët e uniformave blu.
Tashmë, pas arrestimit, kontrolli në banesën e tij përbën një tjetër hallkë të veprimeve të ndërmarra nga autoritetet. Materialet e gjetura pritet të analizohen dhe të verifikohen për të parë nëse përmbajnë të dhëna apo prova që mund të lidhen me hetimin e SPAK për dosjen e AKSHI-t.

