Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka reaguar zyrtarisht pas arrestimit të Ergys Agasit në Durrës.
Sipas SPAK, pas një pune disa-javore në bashkëpunim me strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, Agasi u arrestua më 26 gusht në zonën e Plepave, në hyrje të Durrësit.
Në momentin e arrestimit, Agasi shoqërohej nga një ish-punonjës policie, Uljan Shpataraku, i cili është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal. SPAK bën me dije se Ergys Agasi është nën hetim në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025. Ndaj tij rëndojnë disa akuza, mes tyre “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, si dhe vepra penale që lidhen me grupin e strukturuar kriminal, pastrimin e produkteve të veprës penale dhe korrupsionin aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike.
Sipas SPAK, ndaj Agasit Gjykata e Posaçme kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” me vendimin e datës 15 dhjetor 2025.
Vendimi ishte dërguar për ekzekutim nga strukturat e Policisë së Shtetit më 17 dhjetor 2025.
Njoftimi i plotë:
Pas një pune disa javore në bashkëpunim të ngushtë me strukturat operacionale të specializuara të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, sot më datë 26.8.2026, u bë i mundur arrestimi i shtetasit Ergys Agasi, në hyrjen jugore qytetit të Durrësit, në zonën e Plepave, në autostradë. Në momentin e arrestimit ky shtetas shoqërohej nga shtetasi, U. Sh, ish punonjës policie, i cili është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” e parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijon hetimet për procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025, për të cilin, më datë 05.12.2025, ka regjistruar edhe emrin e shtetasit Ergys Agasi. Ky shtetas po hetohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 244 paragrafi i dytë i K. Penal.
Ndaj personit nën hetim dhe konkretisht shtetasit Ergys Agasi, me vendimin nr. 125 datë 15.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Pare Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale. Vendimi i gjykatës është dërguar menjëherë për tu ekzekutuar nga strukturat e Policisë së Shtetit me shkresën nr. 43104 prot, dt.17.12.2025. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar falenderon Policinë e Shtetit për kryerjen me sukses të operacionit. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet SPAK

