Lajme Zone
Kurti: Jemi në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për hapjen e plotë të urës mbi Ibër
PolitikëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Kurti: Jemi në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për hapjen e plotë të urës mbi Ibër

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se institucionet e vendit janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për hapjen e plotë të urës kryesore mbi lumin Ibër dhe “marrjen tërësisht nën kontroll” të saj nga Policia e Kosovës. “Jemi në komunikim të përditshëm, qoftë Kryeministria, qoftë Ministria e Punëve të Brendshme, në mënyrë që gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë dhe paqësore", th

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se institucionet e vendit janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për hapjen e plotë të urës kryesore mbi lumin Ibër dhe “marrjen tërësisht nën kontroll” të saj nga Policia e Kosovës. “Jemi në komunikim të përditshëm, qoftë Kryeministria, qoftë Ministria e Punëve të Brendshme, në mënyrë që gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë dhe paqësore", tha Kurti, gjatë një konference për media më 22 gusht, kur u pyet se kur pritet të hapet ura kryesore në Mitrovicë. LEXO edhe...Kroacia ngre aktakuzë për spiunazh ndaj pilotit kroat që shërbeu në KFOR dhe partneres së tij serbe Ai tha se pasditen e së shtunës do të ketë një takim me komandantin e KFOR-it, Ozgan Ulutash, teksa e cilësoi si "absurde" që ura të vazhdojë të jetë e mbyllur. "Duhet të përkujtojmë që pas ndërtimit të urave të reja është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur dhe fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm nëpër këto urat e reja dhe nuk ka shtim as të incidenteve as të tensioneve, tregon që qarkullimi i njerëzve dhe mallrave, liria gjithnjë më e madhe e lëvizjes është e dobishme jo vetëm për ekonominë, por edhe për paqen dhe sigurinë”, theksoi Kurti. Ura kryesore mbi Ibër është e hapur për këmbësorë, por jo edhe për qarkullimin e automjeteve. Që nga përfundimi i luftës, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, e ka mbajtur nën mbikëqyrje urën, e cila ndër vite ka qenë pikë e përplasjeve ndëretnike. Megjithatë, së voni KFOR-i ka njoftuar për nisjen e tërheqjes graduale nga ura, pas përmirësimit të situatës së sigurisë, gjë që ka zemëruar Serbinë. Komentet e Kurtit vijnë pasi një zyrtar i NATO-s i tha më 20 gusht Radios Evropa e Lirë se çdo vendim për rihapjen e mundshme e kësaj ure për qarkullimin e veturave, duhet të “adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve lokale”. “KFOR-i po ashtu vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme të sigurisë në mënyrë që përpjekjet diplomatike të Bashkimit Evropian të mund të lëvizin përpara”, tha zyrtari i NATO-s. Serbia ka kundërshtuar planet e KFOR-it për reduktimin e pranisë mbi këtë urë. Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, i është drejtuar me një letër shefit të NATO-s, Mark Rutte, duke i kërkuar që ky proces të ndalet. “Sapo i dërgova një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe kërkova që KFOR-i, në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së, të ndalë terrorin ndaj serbëve, përndjekjen dhe arrestimet e tyre, rrënimin e shtëpive, si dhe hapjen e urës mbi Ibër”, shkroi Vuçiq në Instagram më 20 gusht. Sipas Vuçiçit, tërheqja e KFOR-it nga ura në këtë moment do të “krijonte kushte për një përballje përfundimtare me popullsinë serbe” në veri të Kosovës. Por, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha e përpjekjet e Serbisë për ta paraqitur optimin e pranisë së KFOR-it si “kërcënim për komunitetin serb” apo si dëshmi se situata në Kosovë është e paqëndrueshme, “nuk përputhen me realitetin në terren”. Ai e akuzoi Serbinë se po përpiqet të zhvendos vëmendjen lidhur me gjetjen e varrezave masive në veriun e Kosovës, zbulimin e armatimit afër lokacioneve ku u gjetën mbetje mortore dhe veprimeve të Kosovës kundër rrjeteve të dyshuara të inteligjencës së Serbisë dhe aktiviteteve subersive kundër Kosovës. “Ky është një proces [procesi i optimizimit të KFOR-it] i bazuar në vlerësime profesionale të situatës në terren dhe nuk paraqet zvogëlim të sigurisë për asnjë qytetar apo komunitet në Kosovë”, tha Maqedonci. Tërheqja graduale e trupave të NATO-s nga ura është pjesë e procesit të optimizimit të pozicionimit të KFOR-it, i cili po zhvillohet me transparencë të plotë, tha zyrtari i aleancës, duke shtuar se ky proces mund të zhbëhet, varësisht nga situata e sigurisë. “KFOR-i do të ketë prani të dukshme në Mitrovicë të Veriut dhe të Jugut si dhe në veriun e Kosovës dhe vazhdon të kontribuojë që të ketë mjedis të sigurt për të gjithë”, tha zyrtari i NATO-s në një përgjigje për REL-in. Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar në korrik të vitit 2024 hapjen e urës kryesore mbi Ibër edhe për qarkullimin e automjeteve, një nismë që shkaktoi tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare. Ndërkohë, ekzekutivi kosovar ka ndërtuar edhe dy ura të tjera pranë urës kryesore – një për këmbësorë dhe një për automjete – me synimin për të lidhur Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut. Ura kryesore mbi lumin Ibër konsiderohet një nga pikat më të ndjeshme në aspektin e sigurisë në veri të Kosovës./REL Xh.K/ReportTv.al aleksander vucic serbi Albin Kurti lumi iber kosove Komento Komente Sondazhi i ditës: Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri? Politika 57.4% Shoqëria 26.8% Social media 15.8% Vota total: 6176 Sondazhi i ditës: Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri?