Ish-presidenti Bamir Topi ka komentuar edhe rrethanat politike që lidhen me ardhjen e Vlora Hysenit në Shqipëri dhe më pas emërimin e saj në krye të SHISH. I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, Topi u ndal te marrëdhëniet mes kryeministrit Edi Rama dhe Albin Kurtit, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si u trajtua kalimi i Hysenit nga Kosova në Shqipëri. Topi tha se pozicioni që ka mbajtur Hyseni lidhet me dy institucione dhe, për këtë arsye, sipas tij, duhet të ketë pasur edhe komunikim zyrtar me Presidentin. Ai theksoi se nuk ka informacion nëse një komunikim i tillë ka ndodhur. Më tej, ish-presidenti e vendosi çështjen në kontekstin e marrëdhënieve politike mes Ramës dhe Kurtit, duke iu referuar edhe zhvillimeve të asaj periudhe në rajon dhe Ballkanit të Hapur. Sipas Topit, mënyra se si është trajtuar çështja krijon përshtypjen e një logjike që, sipas tij, i përket më shumë partive politike sesa administratës shtetërore. “Fakti që ky pozicion implikon dy institucione, detyrimisht një korrespondencë zyrtare duhet të ndahet dhe me Presidentin. A ka ndodhur kjo?! S’e di! Në interpretimet e mia, në një kontekst politik shumë specifik, se kjo është analizë politike, kur atje ndërrojnë qeverinë (në Kosovë) në një kontekst politik, në një marrëdhënie jo të mirë mes Ramës dhe Kurtit, ku ishte dhe Ballkani i Hapur, ku Kosova u la jashtë dyerve. Nisi fillimisht si Procesi i Berlinit, vendimmarrja ishte në qendër të Europës. Procesi i Berlinit përfshinte 4 vende të Ballkanit të Hapur dhe më pas iu dha një rol parësor Presidentit Vuçiç. Ky ishte një demonstrim; ti e hoqe, unë e marr. Kjo ndodh vetëm në partitë politike, jo në administratë. Është nisur dhe ka vazhduar gabim kjo punë. S’ka këtu karshillëk për shkak të konjukturave të shtetit. Po ikin këto, mund të qëndrosh kot atje dhe të flasësh si kryetar i mazhorancës. Nëse të kompromentohet kjo! Ke dhe njerëz të policisë të përfshirë, dhe qytetari thotë: ore, çfarë po ndodh këtu? A ka përgjegjësi politike këtu? E vetmja gjë që nuk kemi dëgjuar është se duhet të pranohet gabimi dhe dështimi politik në këto çështje. Duhej të kishte hapur një debat, në Kuvend, që nuk ekziston në këto kushte. NATO është shumë sensitive. Nuk e di nëse këta e dinë që ne jemi në NATO. Ne duhet të ngrihemi në lartësinë e atij pozicioni që ne jemi zgjedhur.”, tha ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Bamir Topi
