Pamje nga protestat Mediat e huaja vijojnë t’u kushtojnë vëmendje protestave në Shqipëri. Gazeta franceze Le Figaro pasqyron mobilizimin e mijëra të rinjve që kërkojnë kushte më të mira arsimimi, luftë kundër korrupsionit dhe një të ardhme në vendin e tyre, ndërsa ndalet te përdorimi i forcës nga policia dhe akuzat e kryeministrit Edi Rama për një “luftë hibride” të nxitur nga jashtë. Me maska kirurgjikale në fytyrë dhe parulla që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit shqiptar Edi Rama, disa mijëra protestues, me vajzat e reja në krye, u mblodhën të shtunën në Tiranë për të denoncuar kushtet e këqija të studimit dhe korrupsionin.
“Jemi këtu për një arsye të vetme: nuk duam t'i ndërtojmë ëndrrat tona diku tjetër. Dëshiroj të kem një të ardhme këtu”, thotë Rosela Mira, studente e vitit të parë të mjekësisë në kryeqytetin shqiptar.
Motra e saj, nxënëse e shkollës së mesme, përshkruan kushtet e përkeqësuara të arsimit, me “40 nxënës në klasë”. Ashtu si ato, studentë dhe gjimnazistë të tjerë iu bashkuan protestave në mes të tetorit, me fillimin e vitit të ri shkollor dhe akademik, duke i dhënë një shtysë të re lëvizjes që vazhdon prej më shumë se 130 ditësh.
Megjithëse protestat kishin qenë paqësore për muaj të tërë, që nga mesi i tetorit ato janë shoqëruar me episode dhune.
Të shtunën, vetëm gjysmë ore pas fillimit të tubimit, në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit, një grup i vogël protestuesish hodhi gurë kalldrëmi drejt ndërtesës, siç konstatoi një gazetare e AFP-së.
Forcat e rendit përdorën automjete me ujë me presion, hodhën gaz lotsjellës dhe qëlluan me plumba gome. Policia kundër trazirave dhe një njësi speciale ndërhyrjeje u vendosën pranë ndërtesave zyrtare.
Shumë dyqane ulën qepenat. Në disa prej tyre, pronarët kishin ngjitur fletë letre A4 me mbishkrimin: “Mos na prekni, jemi me ju”.
Më 13 tetor, protestuesit kishin djegur fasadat e disa dyqaneve.
Shkëndija që ndezi protestat ishte një projekt turistik i lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trumpit. Projekti, i planifikuar në një zonë natyrore të mbrojtur, ishte prezantuar për herë të parë në vitin 2024.
Megjithatë, vendosja e telave me gjemba në plazhet e Zvërnecit, 150 kilometra në jugperëndim të Tiranës, në fund të majit, ishte ajo që shkaktoi shpërthimin e protestave.
Pa një drejtues të identifikuar, kjo lëvizje ka kërkuar që në fillim anulimin e projektit të ndërtimit, si dhe rishikimin e ligjeve për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
Një pagë mesatare bruto prej rreth 930 eurosh
Më pas, protestuesit nisën të denonconin edhe kushtet e arsimit dhe mungesën e perspektivës, në një kohë kur më shumë se 1,5 milionë banorë janë larguar nga vendi që prej rënies së komunizmit në vitin 1990.
Sot në Shqipëri jetojnë rreth 2,3 milionë njerëz, ndërsa paga mesatare bruto është rreth 930 euro.
“Jemi të detyruar të bëjmë disa punë njëkohësisht” për “të ndihmuar prindërit tanë, të cilët marrin pensione të ulëta. 100 eurot e premtuara nga kryeministri na mjaftojnë vetëm për të blerë disa libra”, rrëfen Fabiola Nikaj, studente e vitit të tretë në drejtësi.
Alma Lama, presidente e sindikatave të bashkuara të arsimit shqiptar, flet për një gjendje pakënaqësie të thellë.
“Askush nuk i merr parasysh kërkesat tona”, pohon ajo.
“Jo dhunës”, “Transparencë”, “Demokracia në rrezik”, shkruhet në pankartat që mban grupi i saj i vogël i mësuesve të shkollave të mesme dhe pedagogëve universitarë.
Ata janë mbledhur në trotuare ku mungojnë pjesërisht gurët e kalldrëmit, gjurmë të protestave të ditëve të mëparshme.
Për muaj të tërë, protestuesit kanë marshuar paqësisht çdo ditë nëpër Tiranë, duke u ndalur përpara zyrave të kryeministrit, i cili ndodhet në pushtet që nga viti 2013, për të kërkuar dorëheqjen e tij.
Të shtunën në mëngjes, përmes një videoje të transmetuar drejtpërdrejt në rrjetet sociale, kryeministri bëri thirrje për qetësi, ndërsa dënoi dhunën, të cilën e cilësoi “të patolerueshme”.
“Një luftë hibride”
Kreu socialist denoncon “një luftë hibride” dhe një dhunë “të orkestruar nga duar të stërvitura për këtë qëllim dhe të nxitur nga jashtë, nga aktorë të huaj”.
Ai publikoi një listë me rreth 40 persona, të identifikuar përmes inicialeve, por të shoqëruar me fotografitë e tyre, të cilët i paraqet si autorë të akteve të dhunës.
Në të njëjtën kohë, të shtunën ai u kërkoi sërish drejtuesve të institucioneve publike të paraqisnin dorëheqjen.
Të shtunën, jastëkët e kuq që ata kishin vendosur në sheshin përpara selisë së qeverisë, si një ftesë për dialog, mbetën bosh.
Madje, disa qindra protestues, të mbledhur në mesditë me thirrjen e Partisë Demokratike, forcës kryesore të opozitës, e cila synon të tërheqë studentët në protestë, u vunë flakën jastëkëve.
Por studentët, ashtu si edhe protestuesit që kundërshtojnë projektin e ndërtimit, refuzojnë çdo përpjekje për ta shfrytëzuar politikisht lëvizjen e tyre.
“Rama në burg, Berisha në burg”, brohoritën ata gjatë pasdites, duke iu referuar edhe Sali Berishës, kreut të opozitës, dhe duke e konsideruar të gjithë klasën politike përgjegjëse për situatën. /Përshtatur nga "Le Figaro" Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Aktualitet Kaos në qendër të Tiranës, policia 'blindon' selinë e PS 24 Tetor 2026, 18:0418:04Aktualitet "Lufta" zhvendoset në sheshin Skënderbej, përplasje të forta mes policisë dhe protestuesve 24 Tetor 2026, 17:5017:50Aktualitet Tirana nuk gjen qetësi, Policia rrethon protestuesit në sheshin “Skënderbej” dhe blindon bulevardin 24 Tetor 2026, 17:3917:39Aktualitet Vijon kaosi në disa zona të Tiranës, një efektiv policie përfshihet nga flakët pranë selisë së PS-së 24 Tetor 2026, 17:2817:28Aktualitet Nuk kanë fund bëmat e Eni Vasilit, 70 mln lekë që shqiptarët të mësojnë si të bëjnë byrek e të gatuajnë fasule 24 Tetor 2026, 17:1717:17Aktualitet Tetë të lënduar nga përplasjet në protestë, mes tyre dy gazetarë dhe një deputet 24 Tetor 2026, 17:1817:18Aktualitet

