Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Çeki, ku është takuar me Kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit çek, Tomio Okamura, dhe Presidentin e Senatit, Milos Vystrcil. Në fokus të takimeve kanë qenë marrëdhëniet dypalëshe, forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar dhe mbështetja e Çekisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjatë bisedimeve, palët vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, të ndërtuara mbi miqësinë tradicionale, dialogun e vazhdueshëm politik dhe vlerat e përbashkëta europiane. Gjithashtu, shprehën vullnetin për zgjerimin e bashkëpunimit në ekonomi, turizëm, arsim dhe fusha të tjera. Kryetari i Kuvendit vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Republikës Çeke për integrimin europian të Shqipërisë dhe qëndrimin e saj në favor të një procesi zgjerimi të bazuar në meritë. Peleshi theksoi se mbështetja politike e vendeve anëtare është veçanërisht e rëndësishme në këtë fazë të negociatave, ndërsa Shqipëria vijon punën për përmbushjen e reformave dhe objektivin strategjik të anëtarësimit në BE. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor dhe rolit të vendeve të Grupit të Vishegradit në mbështetje të integrimit të rajonit. Në kuadër të bashkëpunimit parlamentar, Peleshi nënvizoi rëndësinë e intensifikimit të kontakteve mes drejtuesve të parlamenteve, komisioneve parlamentare dhe grupeve të miqësisë. Ai vlerësoi rivendosjen e aktivitetit të Grupit të Miqësisë Çeki-Shqipëri në Dhomën e Deputetëve dhe shprehu interesin për zgjerimin e shkëmbimeve të ndërsjella, përfshirë bashkëpunimin mes komisioneve për çështjet europiane dhe politikën e jashtme. Në përfundim të takimeve, palët riafirmuan rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe kontributin e diplomacisë parlamentare për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon. 1 / 3
