Viktor orban dhe Aleksandar Vuçiç / Pas disfatave elektorale, Orban, Vuçiç dhe Dodik po rikonfirmojnë aleancën e tyre politike në Ballkan. Ndërsa ish-kryeministri hungarez ndërmerr një tur takimesh me aleatët e vjetër, Vuçiç po përgatit rikthimin në krye të partisë, duke ngritur pikëpyetje mbi synimet e këtij boshti rajonal... Mund të humbasësh zgjedhjet, por jo domosdoshmërisht edhe miqtë. Ky ishte mesazhi që përcollën të shtunën Aleksandar Vuçiçi dhe Viktor Orbani, kur ish-presidenti serb priti ish-kryeministrin hungarez në një atmosferë familjare, në shtëpinë e të atit, pranë Beogradit.
Në një video të publikuar pas takimit, të dy politikanët i premtuan njëri-tjetrit se miqësia e tyre do të mbetej e palëkundur. Vuçiçi, nga ana e tij, dha edhe një mesazh politik, duke paralajmëruar rikthimin: “Do të rikthehemi!”.
Takimi nuk ishte thjesht një vizitë mes dy miqsh të vjetër. Ai ishte pjesë e një turi disa ditor të Orbanit në Ballkan, ku në qendër të vëmendjes ishin pikërisht aleatët e tij politikë, të cilët kanë pësuar humbje në zgjedhjet e fundit. Pavarësisht ndryshimit të hartës politike, duket se rrjeti i vjetër i marrëdhënieve vazhdon të funksionojë.
Miqësia që u mbijeton disfatave
Të shtunën, Vuçiç e priti Orbanin në shtëpinë e familjes së tij, pranë Beogradit. Ai e përshëndeti mysafirin si një mik të madh dhe vëlla, duke shprehur kënaqësinë që po kalonin kohë së bashku në një mjedis familjar.
Politikani serb nuk e shmangu as temën e humbjeve elektorale. Ai pranoi se të dy kishin pësuar disfata gjatë muajve të fundit, por këmbënguli se nuk kishin humbur as dinjitetin, as krenarinë dhe as besimin.
Orban iu përgjigj me të njëjtën gjuhë miqësie. Sipas tij, miqtë mbeten miq edhe në kohë të vështira, madje pikërisht këto momente i forcojnë lidhjet e vërteta. Ai i premtoi Vuçiçit se do të vazhdonte të qëndronte pranë tij.
Ish-kryeministri hungarez kujtoi gjithashtu zhvillimin e marrëdhënieve mes Hungarisë dhe Serbisë, duke e cilësuar atë si një nga arritjet më të rëndësishme të bashkëpunimit të tyre politik. Sipas tij, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë tejkaluar miqësinë personale të dy liderëve dhe kanë kontribuar në forcimin e lidhjeve mes popujve hungarez dhe serb.
Në fund, Orban i uroi Vuçiçit, familjes së tij dhe popullit serb suksese të mëtejshme, duke e shoqëruar mesazhin me një lutje për bekimin e Zotit. Vuçiçi e përmbylli videon me një fjali të shkurtër, por domethënëse: “Do të rikthehemi!”.
Gazeta serbe “Informer” e promovoi gjerësisht videon, duke vënë në dukje qëndrueshmërinë e miqësisë mes dy politikanëve, pavarësisht se të dy kanë humbur pozitat e mëparshme të pushtetit.
Rrethi ballkanik i Orbanit
Vizita në Beograd, ishte vetëm njëra prej ndalesave të turit të Orbanit në Ballkan. Një ditë më parë, ai kishte takuar Milorad Dodik, ish-presidentin e Republikës Srpska në Bosnjë-Hercegovinë.
Pamjet nga takimi i tregonin të dy politikanët duke kaluar mbrëmjen pranë një zjarri, në një atmosferë të çlirët. Mes të pranishmëve ishte edhe bashkëshortja e Orban, Anikó Lévai. Në rrjetet sociale, Dodiku e përshkroi marrëdhënien me ish-kryeministrin hungarez si një miqësi të sinqertë dhe të qëndrueshme.
Në Beograd, Orban u takua gjithashtu me Bálint Pásztor, kreun e Aleancës së Hungarezëve të Vojvodinës (VMSZ). Ky i fundit publikoi një fotografi nga takimi, duke bërë të ditur se Orban ishte interesuar për situatën politike dhe zhvillimet në vend.
Edhe Pásztor nënvizoi se miqësia mes tyre mbetet e fortë. Por për partinë e tij, zgjedhjet parlamentare të tetorit kanë qenë një goditje e rëndë. Numri i përfaqësuesve të VMSZ-së në parlament ka rënë nga gjashtë në vetëm dy, ndërsa aleati i saj politik, Partia Progresiste Serbe e Vuçiçit, ka humbur shumicën qeverisëse.
Megjithatë, rezultatet elektorale nuk kanë sjellë ndryshime në aleancat e mëparshme. Bashkëpunimi mes Fidesz-it të Orbanit dhe VMSZ-së nuk u ndërpre as pas ndryshimit të qeverisë në Hungari. Përkundrazi, ish-kryeministri hungarez shkoi personalisht në Beograd për të takuar kreun e partisë.
Pas takimit, Pásztor përcolli të njëjtin mesazh që Orban do t'i drejtonte pak më vonë edhe Vuçiçit: “Miqtë mbeten miq”. Sipas autorit të artikullit, ky rrjet marrëdhëniesh po shndërrohet në një lloj “boshti të fshehtë rajonal”. Një aleancë që, pas humbjeve politike të protagonistëve të saj, duket se po merr gjithnjë e më shumë karakterin e një bashkimi për mbijetesë politike.
Vuçiçi përgatit rikthimin në krye të partisë
Vetëm pak orë përpara takimit me Orbanin, drejtuesit e Partisë Progresiste Serbe ishin mbledhur në Arenën e Beogradit, ku vendosën njëzëri të thërrasin një kongres të jashtëzakonshëm më 13 dhjetor. Në këtë kongres do të zgjidhet drejtimi i ri i partisë.
Kryetari aktual i SNS-së, Miloš Vuçeviç, njoftoi se do të propozojë Aleksandar Vuçiçin për postin e kryetarit, duke lënë të kuptohet se është i gatshëm t[ia dorëzojë drejtimin. “Ne jemi e vetmja parti politike që i ka mbijetuar revolucionit me ngjyra dhe që vazhdon të funksionojë me një organizim demokratik dhe popullor. Për këtë mund të krenohemi!”, deklaroi Vuçeviç.
Vuçiç e drejtoi Partinë Progresiste Serbe nga viti 2012 deri më 27 maj 2023, kur ia kaloi zyrtarisht drejtimin Vuçeviç-it. Megjithatë, largimi nga posti i kryetarit nuk e pengoi të vazhdonte të ishte figura dominuese e politikës serbe, duke ushtruar ndikim vendimtar mbi partinë dhe institucionet.
Në mbledhjen e së shtunës morën pjesë 657 anëtarë të Komitetit të Përgjithshëm. Vuçeviç e justifikoi nevojën për ndryshime në drejtimin e partisë me rezultatet e zgjedhjeve të tetorit dhe sfidat politike me të cilat ajo përballet.
Sipas tij, SNS-ja po hyn në një fazë të re të historisë së saj, e cila kërkon një drejtim të ripërtërirë. Ai paralajmëroi se partinë e presin përballje të vështira si në parlament, ashtu edhe në pushtetin vendor.
Data e kongresit është përcaktuar tashmë, ndërsa zgjedhja e Vuçiçit në krye të partisë duket më shumë një formalitet sesa një garë e vërtetë politike. Në fjalën e tij para drejtuesve të partisë, Vuçiç e cilësoi humbjen elektorale si një pjesë normale të jetës politike demokratike. Ai solli në kujtesë zgjedhjet e vitit 2012, kur shumëkush priste fitoren e Boris Tadiçit në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, por SNS-ja arriti të përmbyste rezultatin. Që prej asaj kohe, sipas tij, partia kishte fituar zgjedhjet njëra pas tjetrës.
Ish-presidenti serb pretendoi se disfata e tetorit ishte ndikuar edhe nga mobilizimi i fondeve të mëdha kundër partisë së tij, si brenda vendit, ashtu edhe nga jashtë. Vuçiç u përcaktoi bashkëpunëtorëve tre detyra: të marrin përgjegjësitë për humbjen, të kryejnë ndryshimet e nevojshme brenda partisë dhe të vazhdojnë luftën politike.
Por këtu shfaqet një paradoks i dukshëm. Ai kërkon rinovimin e SNS-së dhe marrjen e përgjegjësive, ndërsa përgatitet të rimarrë vetë drejtimin e saj. Një rikthim, që ngre pikëpyetje mbi kuptimin e ndryshimit që pretendon se po kërkon.
Ai u ndal veçanërisht te arroganca e zyrtarëve të partisë, shpërdorimi i pushtetit dhe qëndrimi prej superiori ndaj qytetarëve. Sipas tij, për vite me radhë drejtuesit e SNS-së kanë qenë të prirur të vënë në dukje gabimet e të tjerëve, pa marrë përgjegjësi për të tyret.
Megjithatë, Vuçiçi nuk i renditi këtë herë gabimet e veta. Ai premtoi se do t’i bëjë publike ato në kongresin e dhjetorit. Ndërkohë, ish-presidenti sulmoi sërish ashpër shumicën e re politike. Ai pretendoi se në Serbi po zhvillohet një “terror revolucionar” dhe se fituesit e zgjedhjeve po përgatiten të frikësojnë kundërshtarët politikë.
Sipas tij, mund të organizohen procese gjyqësore të posaçme, përmes të cilave autoritetet e reja synojnë t’i kthejnë gjyqet ndaj ish-drejtuesve në një “spektakël”. Vuçiçi kritikoi gjithashtu ndryshimet në sektorin televiziv, duke folur për sulme ndaj lirisë së medias dhe kufizime të lirisë së shprehjes.
Madje, ai pretendoi se disa prej masave të ndërmarra nga qeveria e re i kujtonin metodat e Gestapos. Megjithatë ajo që nuk bëri, ishte të shprehte ndonjë reflektim mbi mënyrën se si kanë funksionuar mediat gjatë viteve të pushtetit të tij./Pamfleti nga “Balkan Magazine”vuçiç orban boshti ballkanik i humbësve Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Përplasje për taksat e reja, Tabaku kundër qeverisë: Po rëndoni biznesin e vogël, faturën do ta paguajnë qytetarët 2 Nëntor 2026, 14:5914:59Politike Përplasje të ashpra në Komisionin e Kulturës, Zhupa kërkon dorëheqjen e Ramës dhe qeveri tranzitore 2 Nëntor 2026, 14:4514:45Politike Studentët i kërkojnë dorëheqjen, Rama i premton punësime në administratë 2 Nëntor 2026, 14:0114:01Politike Rama prezanton “Shkallën e Meritës” për administratën publike, në krye vendos Adea Pirdenin 2 Nëntor 2026, 13:4313:43Politike Edi Rama që predikon dialogun, por e trajton informacionin si mall luksi: A shkohet në BE me 21% TVSH mbi mediat? 2 Nëntor 2026, 13:0613:06Politike “Studentët nuk ju duan afër”, shpërthen debati në komision, PS dhe PD përplasen për pronësinë e protestës 2 Nëntor 2026, 13:0213:02Politike

