Presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi sot se Serbia do të vazhdojë të forcojë kapacitetet e saj ushtarake për të penguar çdo agresion të mundshëm, duke këmbëngulur se qëllimi i Beogradit nuk është lufta, por ruajtja e aftësisë parandaluese. Deklarata vjen mes debatit të vazhdueshëm për balancën ushtarake në Ballkan, ku Serbia prej më shumë se një viti kundërshton marrëveshjen e bashkëpunimit në mbrojtje mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, ndërsa Zagrebi ka shprehur shqetësim për ritmin e armatosjes së ushtrisë serbe. Gjatë një vizite në Qendrën për Çminim të Serbisë në Velika Moshtanicë, Vuçiç hodhi poshtë pretendimet se Beogradi po përgatitet për luftë. LEXO edhe...Letra e fundit për Mlladiçin! Vuçiç kërkoi ta nxirrte nga burgu i Hagës para vdekjes "Qëllimi ynë është parandalimi. Nuk duam luftëra, nuk duam konflikte, por nuk do të lejojmë askënd të shkatërrojë vendin tonë. Për armët sulmuese, ne pamë çfarë kishin fqinjët tanë dhe bëmë edhe më mirë", tha ai. Presidenti serb iu përgjigj drejtpërdrejt edhe kritikave të zyrtarëve kroatë, të cilët kanë kërkuar nga Perëndimi të ushtrojë presion ndaj Serbisë për shkak të modernizimit të ushtrisë. Vuçiç përmendi blerjen nga Kroacia të obusëve vetëlëvizës Panzer 2000 dhe helikopterëve Kiowa me raketa Hellfire, duke pyetur nëse ato ishin armë për mbrojtje apo për operacione sulmuese. “Kur morën 16 obusët Panzer, a na pyeti njeri ne? Kur morën helikopterët Kiowa me raketa Hellfire, ishin për mbrojtje apo për operacione sulmuese?”, u shpreh ai. “Le të vazhdojnë punën me Prishtinën, Tiranën dhe NATO-n sa të duan. Ne u urojmë çdo të mirë, por Serbia sot është dhe nesër do të jetë një arrë edhe më e fortë për të gjitha koalicionet dhe aleancat e krijuara vetëm kundër saj”, deklaroi Vuçiç. Ai shtoi se Serbia po modernizon ushtrinë me ritëm të shpejtë dhe se një pjesë e kapaciteteve të reja do të prezantohen më 13 dhe 14 shtator në Peshter. Në mars të vitit 2025, Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nënshkruan në Tiranë një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, e cila parashikon investime të përbashkëta në teknologjinë ushtarake, koordinim për sigurinë rajonale dhe mbështetje për integrimin euroatlantik të Kosovës. Tirana, Prishtina dhe Zagrebi kanë deklaruar vazhdimisht se marrëveshja synon forcimin e stabilitetit në Ballkan dhe nuk është e drejtuar kundër asnjë shteti. Beogradi, megjithatë, e ka kundërshtuar nismën që prej nënshkrimit të saj, duke argumentuar se cenon interesat e sigurisë së Serbisë. U.D/ReportTv.al nato Ballkan kosove Kroaci Gordan Jandrokovic aleksander vucic Komento Komente Sondazhi i ditës: Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama? Mirë 52.4% Keq 34.8% Nuk e di 12.8% Vota total: 3590 Sondazhi i ditës: Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama?

