Lajme Zone
Korriku sjell rekord vizitorësh në hotele, sa ishte rritja krahasuar me një vit më parë
EkonomiEuronews Albania

Korriku sjell rekord vizitorësh në hotele, sa ishte rritja krahasuar me një vit më parë

Sezoni turistik i verës ka rritur aktivitetin e strukturave akomoduese në Shqipëri, me rreth 817 000 vizitorë të regjistruar vetëm gjatë muajit korrik. Të dhënat tregojnë se numri i vizitorëve që qëndruan në hotele dhe struktura të tjera akomoduese u rrit me 15% krahasuar me korrikun e një viti më parë.

Sezoni turistik i verës ka rritur aktivitetin e strukturave akomoduese në Shqipëri, me rreth 817 000 vizitorë të regjistruar vetëm gjatë muajit korrik. Të dhënat tregojnë se numri i vizitorëve që qëndruan në hotele dhe struktura të tjera akomoduese u rrit me 15% krahasuar me korrikun e një viti më parë. Pjesa dërrmuese e rritjes ka ardhur nga turistët e huaj. Numri i vizitorëve jo-rezidentë arriti në 622 700, kundrejt 526 300 një vit më parë, ose 18.3% më shumë. Vizitorët rezidentë u rritën me një ritëm më të moderuar, prej 6.4%, duke arritur në 194 000 persona. Rritja e turizmit po reflektohet jo vetëm në numrin e personave të akomoduar, por edhe në net-qëndrime. Në korrik, numri i net-qëndrimeve u rrit me 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për vizitorët e huaj rritja ishte 17%, ndërsa për rezidentët 4.4%. Një tjetër tregues i rëndësishëm për industrinë hoteliere është norma e shfrytëzimit të dhomave. Në korrik 2026, ajo arriti në 55%, nga 53% në korrik të vitit të kaluar, duke u rritur me 2.4 pikë përqindjeje. Kjo tregon një përdorim më të lartë të kapaciteteve hoteliere në kulmin e sezonit turistik. Kosova vazhdon të jetë tregu kryesor i origjinës për vizitorët e huaj që përdorin strukturat akomoduese në Shqipëri. Në korrik, turistët nga Kosova përbënin 18% të vizitorëve të huaj, të ndjekur nga Italia me 13% dhe Polonia me 11%. Franca zinte 7% dhe Gjermania 6%, ndërsa 45% e vizitorëve vinin nga vende të tjera.