Lajme Zone
Çmimet e larta tkurrin konsumin, qytetarët: Pensioni shkon për ilaçe dhe ushqime
EkonomiEuronews Albania

Çmimet e larta tkurrin konsumin, qytetarët: Pensioni shkon për ilaçe dhe ushqime

Çmimet e larta të produkteve të shportës po ulin konsumin e qytetarëve. Edhe pse janë ushqime të domosdoshme, qytetarët thonë se po blejnë më pak, madje po shmangin blerjet e frutave ose perimeve që kushtojnë shumë.

Çmimet e larta të produkteve të shportës po ulin konsumin e qytetarëve. Edhe pse janë ushqime të domosdoshme, qytetarët thonë se po blejnë më pak, madje po shmangin blerjet e frutave ose perimeve që kushtojnë shumë. “Janë shumë të shtrenjta. Nuk përballohen. Papunësi e madhe, edhe me zor të madh. Sa të vështirë e ka pensionisti apo mosha e tretë t’i përballojë të gjitha? Shumë. Shumë e vështirë është. Nuk përballohen. Me ilaçe, me të gjitha… A keni ndihmën e fëmijëve? Unë gocën e kam pa punë. Ka mbaruar shkollën e lartë, në arsim, është pa punë. Çuni ishte në punë, po atij s’i del për vete me ato rroga të ulëta”, thotë një pensionite. Kostoja e jetesës, sipas qytetarëve, rëndon më së shumti mbi pensionistët. Shumë prej tyre thonë se një pjesë e konsiderueshme e pensionit shkon vetëm për ilaçe, duke lënë gjithnjë e më pak hapësirë për ushqimet bazë. “Më vështirë s’ka ku të shkojë. Pse ndodh kjo? Kush janë më të shtrenjtat? Të gjitha! Gjithë shporta komplet e shtrenjtë është. Këtej ilaçet, të gjitha. A mundet një pensionist t’i përballojë çdo gjë me pensionin që ka? Po mos të na ndihmojnë kalamajtë, kemi mbaruar. Jemi shkatërruar. Vetëm ilaçet, 36 mijë lekë janë”, shprehet një tjetër. Rritja e çmimeve nuk kufizohet vetëm te produktet e shportës. Edhe buka, një nga produktet më bazë të tryezës, sipas qytetarëve, është bërë më e shtrenjtë, duke e rënduar edhe më tej buxhetin familjar. Përveç çmimeve, qytetarët ngrenë shqetësime edhe për cilësinë e ushqimeve, duke përmendur rastet e produkteve të refuzuara jashtë vendit për shkak të pesticideve. Sipas tyre, kufizimi i konsumit nuk lidhet vetëm me pamundësinë ekonomike, por edhe me pasigurinë për atë që përfn në tryezë. “Me këto të ardhura jo, me këto pensione. Çfarë t’i përballosh? Do kapësh më të thjeshtat. E këto ndikojnë keq te kequshqyerja, te shumë gjëra, siç po bëjnë tani me helmet, pesticidet. Mishi është shumë i rrallë, nuk e kapin dot. Tani venë ata sa për të nxjerrë merakun, marrin një qofte, se kushedi çfarë përbërje ka”, thotë një qytetar. Mes çmimeve që vijojnë të rriten dhe pensioneve që, sipas qytetarëve, nuk mbulojnë më nevojat bazë, shporta e konsumit po tkurret dita-ditës. Për shumë familje, zgjedhja mes ushqimit dhe ilaçeve është kthyer në një realitet të përditshëm.