Mjaftoi një shkronjë që Kastriot Haskaj, biznesmen prej 35 vitesh dhe Konsull i Përgjithshëm Nderi i Lituanisë në Shqipëri, të përfnte i lidhur në disa media me një çështje penale me të cilën deklaron se nuk ka asnjë lidhje. Personi për të cilin bëhet fjalë në ngjarjen e raportuar është Kastriot Hasko, 72 vjeç, ndërsa në disa publikime emri u ngatërrua me atë të Kastriot Haskajt, duke e lidhur këtë të fundit edhe me pronat në Seman të Fierit. Sipas Haskajt, ngatërrimi ka cenuar jo vetëm emrin e tij personal, por edhe reputacionin e biznesit familjar të ngritur gjatë 35 viteve. Ai thekson se Hasko nuk ka lidhje me aktivitetin e familjes Haskaj në tregtinë e kafesë apo hoteleri dhe paralajmëron se do të nisë një betejë ligjore ndaj mediave që, sipas tij, kanë dëmtuar imazhin e tij. Në deklaratën zyrtare, Haskaj shprehet: “Në lidhje me lajmin e publikuar gjatë ditës së djeshme nga disa portale online, në të cilin emri im është lidhur me një ngjarje dhe me një person me të cilin nuk kam asnjë lidhje, ndiej detyrimin t’u drejtohem miqve, bashkëpunëtorëve dhe publikut për të sqaruar të vërtetën. Unë, Kastriot Luto Haskaj, nuk jam personi për të cilin bëhet fjalë në ngjarjen e raportuar dhe nuk kam asnjë lidhje me faktet apo veprimet e përshkruara në artikujt e publikuar. Përfshirja e emrit tim dhe e shoqërisë Indrit Sh.p.k., në të cilën jam bashkëpronar, në këtë histori është tërësisht e pavërtetë dhe ka shkaktuar dëm të pajustifikuar ndaj imazhit tim personal, institucional dhe profesional. E konsideroj të rëndësishme të theksoj se Indrit Sh.p.k., e njohur gjerësisht në treg përmes markës MONCAFE’ ka mbi 35 vite aktivitet të qëndrueshëm, të ndërtuar mbi punë të ndershme, korrekte, transparente, në respektim të detyrimeve ligjore dhe gjithmonë në një marrëdhënie të rregullt me institucionet shtetërore. Për rrjedhojë, ky informacion i rremë prek jo vetëm reputacionin tim si sipërmarrës dhe bashkëpronar i shoqërisë, por edhe funksionin tim institucional, të cilin e ushtroj që prej vitit 2010 si Konsull i Nderit të Përgjithshëm i Republikës së Lituanisë në Republikën e Shqipërisë. Nuk do të hyj në spekulime mbi arsyet apo burimet që kanë çuar në këtë situatë, megjithatë, mënyra se si është publikuar dhe shpërndarë ky informacion ngre pyetje serioze mbi verifikimin gazetaresk, saktësinë e informacionit dhe përgjegjësinë që mbart një media kur publikon emrin dhe identitetin e një personi. Për miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që më njohin: ju siguroj se emri im është përfshirë në mënyrë të padrejtë në këtë ngjarje dhe se unë po e ndjek këtë çështje në rrugë institucionale dhe ligjore. Dua gjithashtu të falënderoj të gjithë ata që përpara se të gjykonin, zgjodhën të më kontaktonin personalisht për të kuptuar të vërtetën. Kush zgjedh të cenojë padrejtësisht emrin dhe reputacionin e një individi apo biznesi, duhet të jetë i gatshëm të përballet edhe me përgjegjësinë dhe pasojat ligjore të veprimeve të veta. Me respekt dhe konsideratë Kastriot HASKAJ”. Haskaj ka bërë të ditur se çështjen do ta ndjekë në rrugë institucionale dhe ligjore, ndërsa sot është raportuar edhe se ai i është drejtuar AMA-s me ankesë për cenimin e reputacionit dhe publikimin e informacionit të pasaktë.
