Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka komentuar vizitën e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në Tiranë, duke kritikuar mesazhet e përcjella gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri. Në një lidhje online në News24, Korreshi tha se von der Leyen përfaqëson vetëm një pjesë të strukturave të Bashkimit Europian dhe se deklaratat pozitive për Shqipërinë nuk përputhen, sipas tij, me realitetin që përjetojnë qytetarët. “Von der Leyen është një fraksion i asaj që përfshin BE. U mësuam me Kos, vjen Von der Leyen dhe ato që sjellin të shkruara vijnë tjetër lloj. Thuhet këtu krimi është numër 1, kombinohemi me El Chapon. Nuk mund të dëgjoj përralla nga Europa. Ka 90 mijë lekë të vjetra pensione në Europë?”, u shpreh Korreshi. Deputeti demokrat deklaroi se presidentja e Komisionit Europian është e informuar për situatën politike në Shqipëri dhe se e di, sipas tij, se ka ardhur në një vend ku opozita përballet me pushtetin. “Von der Leyen e di mirë ku ka ardhur, e di që ka ardhur në një shtet autoritar ku Rama i ka thënë ‘e kam opozitën në xhep’”, tha ai. Korreshi u ndal edhe te mesazhi i von der Leyen për vijimin e reformave, duke e konsideruar atë si një kritikë ndaj qeverisë shqiptare.
“Ajo u shpreh se reformat duhet të zbatohen dhe kjo është një kritikë. Pavarësisht segmenteve, sponsorizimit apo kanaleve që mund të ketë, nuk mbulohet dielli me shoshë”, deklaroi deputeti.
Në vijim, Korreshi tha se nuk i mjaftojnë mesazhet pozitive të ardhura nga zyrtarët europianë, duke e lidhur këtë me gjendjen ekonomike të qytetarëve.
“Nuk më duhet ajo që thotë ajo: ‘Ju jeni mrekulli’, kur njerëzit kanë të grisur edhe astarët e xhepave”, u shpreh ai.
Korreshi e mbylli reagimin duke akuzuar pushtetin për arrogancë dhe duke thënë se kjo është një situatë me të cilën, sipas tij, përballen qytetarët çdo ditë.
“Komuniteti vuan çdo ditë arrogancën e pushtetit”, përfi deputeti demokrat. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
