Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe Të Drejtat e Njeriut ka miratuar në parim projektligjin e propozuar nga Partia Socialiste, i cili parashikon shkrirjen e 15 bashkive në shkallë vendi. Nisma ligjore mori dritën e gjelbër në komision me tetë vota pro nga mazhoranca dhe pesë vota kundër nga përfaqësuesit e opozitës. Pas përfundimit të votimit në parim, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ndërpreu punimet duke dhënë 30 minuta pushim. Me rinisjen e mbledhjes, anëtarët e komisionit do të vijojnë procedurën parlamentare me shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit nen për nen, përpara se dokumenti t’i kalojë seancës plenare për votim përfundimtar. Paralelisht me diskutimet brenda ambienteve të parlamentit, jashtë godinës së Kuvendit u grumbulluan në protestë banorë dhe qytetarë nga bashkitë që preken drejtpërdrejt nga ky projektligj. Protestuesit shprehën kundërshtimin e tyre ndaj reformës territoriale, duke kërkuar tërheqjen e nismës që sipas tyre dëmton përfaqësimin lokal dhe shërbimet ndaj komuniteteve. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

