Lajme Zone
Këtu e ka marrë ferra uratën
PolitikëPamfleti

Këtu e ka marrë ferra uratën

Ky është ndryshimi që ka ndodhur në Shqipëri gjatë viteve të qeverisjes së tij. Krimi nuk qëndron më vetëm në periferi të shtetit, duke kërkuar një polic të korruptuar, një prokuror të kapur apo një zyrtar që mbyll sytë. Ai ka para, biznese, prona, hotele, kompani ndërtimi, njerëz në administratë, lidhje politike dhe interesa që shkojnë nga qeliza më e vogël e shtetit deri në Kupolë.

Halli i madh i Edi Ramës / Mos ia kërkoni Edi Ramës dorëheqjen, ai është peng i sistemit që vetë ndërtoi dhe do të shembet bashkë me të… Në fillim Edi Rama mendoi se mund ta përdorte botën e nëndheshme për të përqëndruar pushtet. Sot është bota e nëndheshme ajo që po e përdor Edi Ramën. Ky është ndryshimi që ka ndodhur në Shqipëri gjatë viteve të qeverisjes së tij. Krimi nuk qëndron më vetëm në periferi të shtetit, duke kërkuar një polic të korruptuar, një prokuror të kapur apo një zyrtar që mbyll sytë. Ai ka para, biznese, prona, hotele, kompani ndërtimi, njerëz në administratë, lidhje politike dhe interesa që shkojnë nga qeliza më e vogël e shtetit deri në Kupolë.

Tani nuk po flasim më për përshtypje.

Departamenti amerikan i Thesarit shkruante që në vitin 2022 se krimi i organizuar përbënte një kërcënim serioz në Shqipëri dhe se aktorët kriminalë ushtronin ndikim në politikë, duke përdorur para dhe dhunë për të orientuar mbështetjen drejt kandidatëve të preferuar. Në të njëjtin dokument, SHBA sanksionoi ish-deputetin Aqif Rakipi dhe deklaroi se ai kishte përdorur ndikimin politik për të vendosur njerëzit e tij në poste publike në Elbasan dhe Tiranë.

Ky konstatim duhet lexuar mirë. Krimi nuk kërkon vetëm mbrojtje nga shteti. Krimi kërkon pjesën e tortës në shtet.

Shqipëria e ka parë këtë film që në vitet e para të qeverisjes së Ramës. Parlamenti u mbush me personazhe që më pas u bënë objekt i ligjit të dekriminalizimit, hetimeve dhe përjashtimeve nga politika. Sa herë shpërthente një rast, Rama e trajtonte si përgjegjësi individuale. Sikur njerëzit të kishin zbritur vetë në listat e kandidatëve dhe askush të mos i kishte zgjedhur, afruar dhe përdorur politikisht.

Pastaj erdhi kanabisi.

Shqipëria u mbulua nga plantacionet, ndërsa qeveria e pranoi përmasën e problemit duke ndërmarrë në vitin 2017 një plan kombëtar për t'i dhënë fund kultivimit në shkallë të gjerë.

Më vonë u shfaq dosja 339. Përgjimet nxorën në sipërfaqe komunikimet e njerëzve të grupit Avdylaj me politikën dhe administratën në Durrës. Shqipëria dëgjoi me veshët e saj se sa e shkurtër mund të bëhej rruga nga një grup kriminal te zyra e kryeministrit.

Vitet kaluan dhe rastet njëri pas tjetrit u kthyen në system.

Në zgjedhjet e vitit 2025, ODIHR nuk foli me gjuhën e opozitës shqiptare. Misioni ndërkombëtar shkroi në raportin përfundimtar se kishte pretendime për ndikimin e elementëve kriminalë në zgjedhje në disa zona. Vëzhguesit raportuan raste ku grupe të krimit të organizuar dyshohej se frikësonin dhe kërcënonin zgjedhës, madje edhe kandidatë. ODIHR evidentoi gjithashtu blerjen e votës, presionin ndaj punonjësve publikë dhe përdorimin e burimeve shtetërore.

Pra, pas më shumë se një dekade me Edi Ramën kryeministër, krimi vazhdon të shfaqet edhe aty ku prodhohet pushteti, te vota.

Ndërkohë ndryshoi edhe ekonomia e krimit.

Trafikantët e viteve '90 blinin makina, vila dhe lokale. Gjenerata e re blen tokë, ndërton kulla, resorte, krijon kompani dhe investon në turizëm. Paraja që vjen nga kokaina nuk ka më nevojë të fshihet poshtë dyshekut. E menaxhon qeveria.

Europol njoftoi në gusht 2025 goditjen e një rrjeti shqiptar të përfshirë në trafik kokaine në përmasa shumëtonëshe dhe pastrim parash. Gjatë operacionit autoritetet sekuestruan ndër të tjera një hotel, prona dhe biznese.

Eurojust jep një tjetër të dhënë që duhet të shqetësojë çdo qeveri: gjatë vitit 2025, Shqipëria kryesoi mes vendeve të treta për numrin e çështjeve të pastrimit të parave të hapura në Eurojust.

Paratë e krimit kërkojnë një vend ku të bëhen ekonomi e ligjshme.

Këtu fillon drama shqiptare.

Një kullë kërkon leje. Një resort kërkon tokë dhe dokumente. Një hotel kërkon institucione. Një investim në bregdet prek bashkinë, kadastrën, tatimet, policinë, ministritë dhe, për projektet e mëdha, nivelet më të larta të vendimmarrjes.

Krimi nuk mund të ndërtojë një ekonomi paralele prej miliardash pa u takuar diku me shtetin.

Pikërisht këtë takim duhet të hetojë Shqipëria.

Komisioni Europian e klasifikoi Shqipërinë në raportin e vitit 2025 vetëm si "mesatarisht të përgatitur" në luftën kundër krimit të organizuar. Brukseli kërkoi më shumë hetime, ndjekje penale dhe dënime përfundimtare për trafik droge dhe pastrim parash, megjithëse njohu përparimin e SPAK dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Parlamenti Europian shprehu shqetësim për kërcënimin e vazhdueshëm dhe diversifikimin e grupeve mafioze shqiptare, të përfshira në drogë, armë, trafik njerëzor dhe pastrim parash në vendet e BE-së.

Pra, Shqipëria nuk ka problem vetëm me disa gangsterë. Ka një fuqi kriminale që ka grumbulluar kapital të madh dhe kërkon ta shndërrojë atë në pronë, biznes, ndikim dhe pushtet.

Rasti i “Principote” në Ksamil duhet parë brenda kësaj tabloje. Pamfleti kishte ngritur prej kohësh pikëpyetje për milionat e investuara, pronësinë formale dhe Bekim Bulicën. Pas vrasjes së të riut portugez doli edhe fotografia e Bulicës me Endri Haxhiun, një zyrtar të lartë të sistemit të trashëgimisë kulturore dhe bashkëpunëtor të afërt të ministrit Blendi Gonxhe.

Fotografia nuk provon krim. Ajo provon diçka që kërkon shpjegim.

Dhe pikërisht këtu duhet ruajtur mendja e ftohtë. Nuk mund ta shpallim çdo biznesmen kriminel sepse njeh një politikan dhe as çdo politikan të korruptuar sepse ka dalë në fotografi me një person të botës së krimit. Duhet të ndjekim paratë, pronat, lejet, tenderët, emërimet dhe vendimet.

Atje gjendet e vërteta.

Problemi i Edi Ramës është se pas trembëdhjetë vitesh nuk mund të sillet më si spektator i këtij realiteti. Ai ka emëruar ministrat, ka zgjedhur drejtuesit politikë, ka kontrolluar shumicën parlamentare dhe ka drejtuar një parti që administron pjesën dërrmuese të pushtetit vendor. Nëse krimi ka depërtuar kaq thellë në ekonomi dhe vazhdon të shfaqet në raportet ndërkombëtare edhe si faktor ndikimi elektoral, kryeministri nuk mund ta zgjidhë çështjen duke treguar me gisht individin e radhës.

Kur për vite të tëra përdor fuqinë e njerëzve të fortë për vota, kur kapitalet me prejardhje të dyshimtë futen në ekonomi, kur interesat e tyre lidhen me prona, ndërtime, turizëm dhe administratë, vjen një ditë kur nuk shkëputesh dot prej tyre pa dëmtuar sistemin që ke ndërtuar.

Sot mund të jetë Elbasani. Nesër Durrësi. Pasnesër Vlora, Shkodra, Tirana apo Ksamili.

Emrat ndryshojnë, mekanizmi mbetet.

Krimi siguron para. Paraja krijon biznes. Biznesi kërkon leje. Leja kërkon politikë. Politika kërkon vota. Rrethi mbyllet.

Në këtë pikë nuk ka më rëndësi kush e bëri hapin e parë. Ata kanë nevojë për njëri-tjetrin.

Kjo është arsyeja pse Edi Rama duket sot politikisht i paaftë të bëjë atë që duhej të kishte bërë prej kohësh: të këpuste çdo fije që lidh politikën me botën e nëndheshme, pavarësisht kostos elektorale, ekonomike apo personale.

Edi Rama, edhe po të dojë, nuk dorëhiqet dot. Ai është peng politik i botës së errët të krimit social dhe financiar që është rritur nën qeverisjen e tij dhe është ndërthurur me pushtetin, biznesin dhe paranë. Të largohet sot do të thotë të lërë pas një sistem që nuk e kontrollon më, dhe që nuk mund të çmontohet me një dorëheqje. Rama e ka lidhur fatin e tij me fatin e këtij sistemi. Tashmë është i dënuar politikisht të qëndrojë me të deri në fund dhe, kur ai të shembet, të shembet bashkë me të.

Këtu e ka marrë ferra uratën./Pamfletikëtu e ka marrë ferra uratën gjergj zefi 1 Komente N Njeriu 19 Gusht 2026, 19:58 Rama, njeriu qe perfundimisht kriminalizoi Shqiperine. Gradualisht po e kthen vendin ne nje Ekuador Përgjigjjuni Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Ky stan, këtë bylmet ka... 18 Gusht 2026, 19:2019:20Editorial Besa e fundit e Edi Ramës 17 Gusht 2026, 14:1214:12Editorial Amerikës i duhet një president që nuk luan në bursë 16 Gusht 2026, 09:4909:49Editorial Kulti i Edi Ramës po shpërbëhet! 15 Gusht 2026, 10:2010:20Editorial Nuk mund të jetojmë të gjithë në breg të Lanës 14 Gusht 2026, 09:4709:47Editorial Kush po e kontrollon Ngushticën e Hormuzit? 13 Gusht 2026, 10:3610:36Editorial