Këshilli Bashkiak i Tiranës i ka kërkuar SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të mundësojnë pjesëmarrjen e kryebashkiakut Erion Veliaj në mbledhjen e 29 shtatorit. Mbledhja është parashikuar të zhvillohet në orën 15:00 në sallën e Këshillit Bashkiak.
Në kërkesën drejtuar institucioneve, Këshilli kërkon që Veliaj të lejohet të marrë pjesë fizikisht në mbledhje, nëse masat kufizuese që zbatohen ndaj tij e mundësojnë një gjë të tillë. Në të kundërt, kërkohet që kryebashkiakut t’i mundësohet pjesëmarrja përmes videokonferencës ose një forme tjetër komunikimi të miratuar.
Kërkesa lidhet edhe me çështjet që pritet të shqyrtohen në mbledhjen e 29 shtatorit, mes tyre projektligji për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore dhe çështje të administrimit të Bashkisë së Tiranës.
Këshilli Bashkiak u kërkon SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që ta informojnë me shkrim për vendimmarrjen e tyre, duke deklaruar gatishmërinë për të bashkëpunuar për çdo kërkesë që lidhet me sigurinë, protokollin apo aspektet logjistike të pjesëmarrjes së Veliajt.
Fillimisht kërkesa u bë nga anëtari i Këshillit Bashkiak, Halit Valteri. Top Channel

