JPMorgan ka pranuar se po përballet me vështirësi për të parashikuar ecurinë e çmimeve të naftës, për shkak të pasigurisë së madhe rreth luftës mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Banka e investimeve u ka thënë investitorëve se aktualisht nuk ka një skenar bazë për përfundimin e konfliktit dhe se “thjesht nuk dimë si ta modelojmë fundin e lojës”.
Në një shënim të pazakontë për investitorët, ekipi i kërkimit të mallrave në JPMorgan tha se në fillim të konfliktit kishte supozuar se administrata e Presidentit Donald Trump do të përballej me disa “vija të kuqe ekonomike” që do ta shtynin drejt një marrëveshjeje.
Banka kishte parashikuar se një marrëveshje do të mundësonte rihapjen e korridorit detar përmes Ngushticës së Hormuzit në qershor.Por zhvillimet nuk kanë ndjekur këtë skenar.
“Gjashtë muaj më vonë, shumë nga këto vija janë kaluar, megjithatë strategjia e daljes është më pak e qartë, jo më shumë”, shkruan analistët e bankës.
“Për herë të parë që nga fillimi i konfliktit me Iranin, nuk kemi një pikëpamje bazë. Thjesht nuk dimë si ta modelojmë fundin e lojës.”
JPMorgan kishte identifikuar disa nivele ekonomike që, sipas parashikimit fillestar të bankës, mund të përbënin kufij të rëndësishëm për administratën amerikane.
“Tregu është në ankth”, kanë shkruar analistët.
JPMorgan është një prej institucioneve më të mëdha financiare në botë dhe deklarata e tij pasqyron vështirësinë që paraqet parashikimi i ndikimit ekonomik të konfliktit.
Një burim nga industria e naftës dhe gazit i tha BBC-së se ishte e pazakontë që një bankë investimesh e një profili të tillë të publikonte një vlerësim kaq të drejtpërdrejtë mbi pasigurinë e parashikimeve.
Sipas burimit, kjo është një pasqyrë e situatës aktuale, duke pasur parasysh pasigurinë rreth konfliktit dhe zhvillimeve të ardhshme.
Çmimi i naftës është një faktor i rëndësishëm për inflacionin global, pasi karburantet dhe produktet energjetike ndikojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi në transport, prodhim dhe koston e mallrave dhe shërbimeve.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se nuk pret që konflikti me Iranin të përfjë përpara zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, të cilat zhvillohen në nëntor.
“Menjëherë pas zgjedhjeve, çmimet e naftës do të bien ndjeshëm”, u tha Trump gazetarëve javën e kaluar, ndërsa shtoi se lufta mund të zgjasë më shumë sesa zgjedhjet e mesmandatit.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur çmimet e larta të energjisë po ushtrojnë presion mbi koston e jetesës në SHBA dhe në ekonomitë e tjera Top Channel

