Lajme Zone
Historia përsëritet/ Të shtëna në një shkollë në Filipine, tre të vdekur dhe tetë të plagosur, sulmi ndodhi gjatë pushimit të drekës
BotëTop Channel

Historia përsëritet/ Të shtëna në një shkollë në Filipine, tre të vdekur dhe tetë të plagosur, sulmi ndodhi gjatë pushimit të drekës

Tre persona kanë humbur jetën dhe tetë të tjerë janë plagosur pas të shtënave me armë në një shkollë të mesme në provincën Mindanao, në jug të Filipineve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe tetë të tjerë janë plagosur pas të shtënave me armë në një shkollë të mesme në provincën Mindanao, në jug të Filipineve. Sipas autoriteteve, mes viktimave janë dy nxënës 14-vjeçarë, ndërsa personi i dyshuar për sulmin, 16 vjeç, ka vrarë veten pas të shtënave.

Ngjarja ndodhi të premten pasdite në Shkollën e Mesme Kombëtare Banga, në komunën Banga.

Kryebashkiaku lokal, Albert Palencia, tha për BBC-në se katër prej të plagosurve ndodhen në gjendje kritike. Sipas tij, personi i armatosur qëlloi ndaj nxënësve pas pushimit të drekës, duke goditur gjithsej 10 persona përpara se të vriste veten.

Palencia i tha Reuters se gjatë një bisede në kohën e drekës, 16-vjeçari u kishte thënë miqve të tij të shkonin në shtëpi, duke u paralajmëruar se pas drekës do të zbatonte planin e tij.

Sipas kryebashkiakut, miqtë nuk e morën seriozisht paralajmërimin, pasi e njihnin të riun si një person që bënte shpesh shaka.

Pas drekës, ai hapi zjarr ndaj nxënësve. Autoritetet lokale po hetojnë ende motivin dhe rrethanat e plota të sulmit.

Departamenti i Arsimit i Filipineve tha se ishte “thellësisht i shqetësuar” nga incidenti dhe se prioriteti kryesor ishte siguria dhe mirëqenia e nxënësve, mësuesve dhe personelit të shkollës.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë dhe të mos shpërndajnë informacione të paverifikuara ndërsa vijon hetimi.

Pas ngjarjes, mësimi është pezulluar në të gjitha nivelet në të gjithë komunën e Bangës.

Kryqi i Kuq i Filipineve tha se ishte njoftuar për të shtënat rreth orës 14:00 sipas kohës lokale. Në vendngjarje u dërgua një ambulancë me katër ndihmës mjekësorë për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve. Top Channel