Pas tri ditësh lufte intensive me flakët, strukturat e mbrojtjes civile, forcat e armatosura dhe zjarrfikësit kanë bërë të mundur izolimin e vatrës masive të zjarrit në dushqet e fshatit Mallunxë në Bashkinë e Matit. Megjithatë, situata mbetet mjaft kritike në njësinë administrative Ulëz, ku flakët po përparojnë me shpejtësi drejt zonave të banuara. Në fshatin Lundër, zjarri u është afruar rrezikshëm shtëpive, duke vënë në alarm të gjithë zonën. Pavarësisht rrezikut të drejtpërdrejtë, banorët po refuzojnë të evakuohen, duke u shprehur se nuk mund të braktisin të gjithë mundin e jetës së tyre. E njëjta situatë alarmante paraqitet edhe në fshatin Madhesh, ku flakët po kërcënojnë një banesë dhe një fermë me më shumë se 200 koshere bletë, të cilat rrezikojnë të shkrumbohen nga momenti në moment. Ekipet e shërbimit pyjor, zjarrfikësit, Ushtria dhe vullnetarët lokalë po vijojnë përballjen e vështirë me vatrat e zjarrit në terren. Megjithatë, për shkak se zjarri po futet me shpejtësi në luginën e Shkopetit—ku ndodhen dhjetëra banesa që kërcënohen drejtpërdrejt—autoritetet lokale dhe banorët po kërkojnë me urgjencë ndërhyrje nga ajri me helikopterë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të katastrofës. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

