Gazetari Artan Hoxha ka komentuar vrasjen e Viktor Bardhit, duke e cilësuar ngjarjen si pjesë të një konflikti të gjatë mes dy fiseve në Mirditë, i cili, sipas tij, vijon prej vitesh dhe nuk është zgjidhur nga shteti. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, me Nisida Tufën, Hoxha u shpreh se për të kjo ngjarje “nuk ka kokërr misteri”, ndërsa ngriti pikëpyetje të forta për faktin se autorët e disa vrasjeve të lidhura me këtë konflikt nuk janë arrestuar. “Vrasja në Mirditë, s’ka kokërr misteri. Është ngjarje që më ka shkuar buza pas duke e permend. Në Mirditë, prej më shumë se një dekade, kemi dy fise në konflikt që s’i zgjidh shteti”, deklaroi Hoxha. Sipas tij, bëhet fjalë për një përplasje të gjatë mes familjeve Bardhi dhe Reçi, e cila është përshkallëzuar në një seri vrasjesh dhe atentatesh. “Ndryshe nga këta në jug, këta ia kanë futur pushkës direkt. Si është e mundur që të ndodhin kaq shumë ngjarje dhe në asnjë rast nuk kapen autorët?”, u shpreh gazetari. Hoxha solli në vëmendje edhe historikun e viktimave të lidhura me konfliktin. “Vëllanë këtij zotërisë që u vra, i vranë vëllain para komisariatit dhe nipin. Të gjithë në Rrëshen e dinë se kush e bëri. Vetëm policia s’e di”, tha ai. Gazetari pretendoi se konflikti ka nisur vite më parë për një ngarkesë heroine në Romë dhe më pas është përshkallëzuar, duke krijuar një cikël hakmarrjeje që vijon ende. “Ky konflikt po e përgjak atë zonë. Konflikti është i njëjtë. Nisi në fillim për një ngarkesë në Romë, heroinë. Këtu nisi me njërën palë. Pjesa tjetër ka shkuar në këtë situatë”, deklaroi Hoxha. Sipas tij, në këtë konflikt janë hapur varre të shumta dhe hakmarrja është kthyer në një histori që nuk po mbyllet.
“Janë hapur varre që nuk po mbyllen, por janë bërë si gur kilometrik. Është histori që nuk ndalon dhe nuk ka për të mbaruar. Ata janë të lutur që t’i hanë kokat”, u shpreh ai. Hoxha tha se mungesa e ndërhyrjes së shtetit ka krijuar terrenin që konflikti të vazhdojë, duke paralajmëruar se situata mund të sjellë viktima të tjera. “Nëse njëra nga palët nuk asgjësohet, kur nuk ndërhyn shteti, ndaj po asgjësohet njëra palë”, tha gazetari.
Në fund, Hoxha e cilësoi vrasjen e Viktor Bardhit jo si një ngjarje të izoluar, por si një tjetër episod të një sage të gjatë hakmarrjeje. “Të pyesësh në Rrëshen, e dinë se kush është familja Bardhi. Kjo nuk është ngjarja e fundit, por e radhës.” © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Artan Hoxha Viktor Bardhi
