Zërin më të fortë kundër e dhanë rajonet veriperëndimore të Islandës, më të largëtat nga kryeqyteti – ku fitoi kampi i “Po”-së – dhe njëkohësisht më të largëtat edhe nga Europa. Në këtë rajon, që shtrihet përballë Grenlandës dhe njihet për fjordet, akullnajat dhe mbi të gjitha për peshkimin, 62,87% e votuesve votuan kundër edhe vetë mundësisë për të rihapur negociatat me Bashkimin Europian për një anëtarësim të mundshëm. Me pak fjalë: as që bëhet fjalë. Numërimi i votave në pjesën tjetër të vendit përfi gjatë natës, rreth orës 04:30. Të shtunën islandezët votuan për të vendosur nëse do të rifillonin negociatat me BE-në, ndërsa të dielën u zgjuan me një “jo” të qartë. Diferenca nuk është e madhe, por nuk është më minimale: 52,54% votuan “nej” (jo), ndërsa 47,46% “jà” (po). “Përgjigjja është jo”, shkruan në titull portali informativ Visir. LEXO edhe...Ministrja e Drejtësisë i përgjigjet BE-së për gjyqtarët serbë: Në Kosovë ligji nuk negociohet Pas muajsh debatesh dhe 13 vitesh nga pezullimi i negociatave me Brukselin, dje u mbajt referendumi i shumëpritur. Pyetja ishte e qartë: “A duhet Islanda të rifillojë negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian?”. Përgjigjja ishte po aq e qartë: “jo”. Edhe sondazhet e fundit e nxirrnin në avantazh kampin e “Jo”-së me 51,6%, kundrejt 48,4% të “Po”-së. Pjesëmarrja në votim ishte më e ulët. Në Reykjavik votuan 55% e qytetarëve me të drejtë vote, që në një popullsi prej 400 mijë banorësh janë rreth 270 mijë persona, pesë pikë përqindje më pak se në vitet e kaluara. “Rezultati ishte i paparashikueshëm deri në fund”, tha analisti politik Elías Þórsson. “Por në javët e fundit mbështetja për ‘Jo’-në ishte rritur.” Kampi i “Jo”-së kaloi në avantazh që në orët e para të së dielës. Sipas të dhënave të fundit të konfirmuara nga transmetuesi publik islandez RÚV, të përditësuara në orën 06:39, “Jo”-ja mori 52,5% të votave, ose 99.037 vota, ndërsa “Po”-ja 47,5%, me 89.459 vota. Fletët e bardha dhe të pavlefshme ishin 1.200, ose 0,6% e totalit. Islandezët që votuan “Jo”, të përshkruar nga mediat si balenierë dhe blegtorë të zonave malore, në kontrast me të rinjtë kozmopolitë dhe proeuropianë të Reykjavikut, nuk hodhën poshtë anëtarësimin në Bashkimin Europian – një proces që gjithsesi do të kërkonte edhe 18 deri në 24 muaj – por vetë mundësinë për të rifilluar negociatat me Brukselin. Këto bisedime kishin nisur në vitin 2009, pas krizës financiare që u kushtoi bankave islandeze rreth 20 miliardë dollarë, dhe u pezulluan në vitin 2013. Në vitin 2013 mbizotëroi qëndrimi i industrisë së peshkimit. Kompanitë e këtij sektori, që përbëjnë 5,6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe rreth 40% të eksporteve të vendit, druhen se do t’u duhet të zbatojnë rregulla më të rrepta europiane dhe kuota peshkimi për të cilat nuk do të kenë kontroll. Nga ana e Bashkimit Europian, që nuk ia ka mbyllur asnjëherë derën Islandës, kanë ardhur sinjale fleksibiliteti. Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka ritheksuar së fundmi se “negociatat pasqyrojnë realitetin e vendeve kandidate”. Megjithatë, pas mbylljes së kutive të votimit, duket se ky mesazh nuk mjaftoi për të bindur shumicën e votuesve. Rezultati mund të sjellë zhgënjim në Bruksel. Islanda është një vend me të ardhura të larta, ekonomi të qëndrueshme dhe institucione të konsoliduara demokratike. Ajo është tashmë pjesë e tregut të përbashkët europian dhe e zonës Schengen, duke zbatuar një pjesë të madhe të legjislacionit të BE-së. Për institucionet europiane, Islanda shihej si një kandidat model dhe një kontribuues i rëndësishëm për buxhetin e unionit, ndërsa anëtarësimi i saj mund të shërbente edhe si nxitje për një afrim të mundshëm të Norvegjisë me BE-në. Në të njëjtën kohë, për Brukselin, pranimi i Islandës do të ishte edhe një mesazh për vendet kandidate, si ato të Ballkanit dhe Ukraina, se në Bashkimin Europian anëtarësimi arrihet edhe mbi bazën e meritës. Sipas Bloomberg, referendumi ishte një “provë e rëndësisë” së Bashkimit Europian: sa peshë ka ende BE-ja në rendin e ri botëror, nëse edhe një vend i pasur dhe i lirë si Islanda heziton të afrohet me të. Kampin e “Po”-së e mbështeti hapur qeveria e kryeministres socialdemokrate Kristrún Frostadóttir. E zgjedhur në vitin 2024, ajo kishte premtuar zhvillimin e referendumit brenda vitit 2027. Sipas artikullit, një nga arsyet që përshpejtoi procesin ishin pretendimet e Donald Trump për Grenlandën, e cila ndodhet vetëm 300 kilometra në perëndim të Islandës dhe është më afër saj sesa vetë Europa. Artikulli kujton gjithashtu se Trump, së fundmi në Davos, i kishte ngatërruar dy ishujt. “Në fund të fundit janë dy ishuj të ngjashëm”, tha për CNBC profesori Eiríkur Bergmann i Universitetit Bifröst. Sipas tij, të dy kanë burime natyrore, rrugë detare që po bëhen më të aksesueshme për shkak të shkrirjes së akullnajave dhe, mbi të gjitha, një rëndësi të madhe strategjike në një kohë kur Arktiku po tërheq interesin e Rusisë dhe Kinës. “I vetmi ndryshim është se Islanda është e pavarur”, tha ai. Megjithatë, Islanda nuk ka ushtri dhe mbështetet plotësisht te forcat e NATO-s që ndodhen në bazën e vogël të Keflavikut, pranë aeroportit civil. Ministrja e Jashtme Þorgerður Gunnarsdóttir deklaroi se “rendi botëror që na mbante të sigurt dhe të begatë është nën kërcënim” dhe se “në kohë si këto, vendet e vogla duhet të mendojnë mirë se ku duan të jenë dhe me kë”. Një tjetër argument i kampit të “Po”-së ishte paqëndrueshmëria monetare. Mbështetësit e anëtarësimit argumentonin se hyrja në euro do t’i mbronte islandezët nga luhatjet e koronës islandeze, e cila aktualisht vlen rreth 0,0071 euro. Islanda konsiderohet vendi më i shtrenjtë në Europë. Një udhëtim me taksi nga aeroporti në qendër kushton rreth 200 euro, një kafe rreth 8 euro, një birrë 18 euro, ndërsa qiraja mujore arrin në rreth 2 mijë euro. Kjo lidhet me inflacionin e lartë dhe me faktin se, që pas krizës financiare të vitit 2008, zhvlerësimi i koronës është përdorur si instrumenti kryesor i politikës monetare. Megjithatë, pagat janë gjithashtu shumë të larta, me një mesatare prej rreth një milion koronash në muaj, ose afërsisht 7 mijë euro. Kostoja e jetesës ishte një nga temat kryesore të fushatës. Gazetarja Alda Sigmundsdottir, në buletinin e saj Letter from Iceland, shkruan se kundërshtarët më të mëdhenj të BE-së tregtojnë tashmë në euro ose dollarë dhe përfitojnë nga zhvlerësimi i monedhës kombëtare, ndryshe nga qytetarët e zakonshëm që humbasin fuqi blerëse. Megjithatë, sipas analistit Elías Þórsson, këto argumente nuk bindën shumë votues, pasi përfitimet e mundshme u panë si ende hipotetike. Në referendum nuk u votua për një marrëveshje konkrete, as për një tekst apo draft negociatash. Nëse do të fitonte kampi i “Po”-së, negociatat me Bashkimin Europian thjesht do të rifillonin dhe më pas qytetarët do të thirreshin sërish në një referendum të dytë për të vendosur nëse do t’i pranonin apo jo rezultatet e tyre. Mes komiteteve që mbështesnin “Po”-në ishte edhe një grup i quajtur “Po për të parë”, me idenë që Islanda të dëgjonte fillimisht se çfarë do t’i propozonte Brukseli dhe vetëm më pas të merrte një vendim përfundimtar. Negociatat e nisura në vitin 2009 kishin ecur me ritëm të shpejtë: nga 35 kapitujt e procesit, 27 ishin hapur dhe 11 ishin mbyllur. Megjithatë, sipas analistit Elías Þórsson, gjatë fushatës elektorale mbizotëroi “një ndjenjë pavarësie pothuajse nacionaliste”. Që nga fitimi i pavarësisë nga Danimarka në vitin 1944, islandezët kanë mbështetur për shumë vite radhazi Partinë konservatore të Pavarësisë, e cila kundërshton afrimin me Bashkimin Europian. Qeveria aktuale, që mbështeti kampin e “Po”-së, është vetëm përjashtimi i dytë në tetëdhjetë vitet e fundit dhe, sipas artikullit, mund të mos i mbijetojë kësaj disfate politike. Në mitingun përmbyllës të kampit të “Jo”-së, deputetja Sigríður María Egilsdóttir deklaroi: “Ne jemi populli që mbrojti zonat tona të peshkimit përballë flotave të fuqive botërore dhe fituam. Tri herë. Jemi populli që u ngrit sërish në këmbë pas një kolapsi ekonomik brenda një dekade.” Mesazhi i saj u përçua qartë te votuesit./CorrieredellaSera U.D/ReportTv.al islande referendum BE Komento Komente Sondazhi i ditës: Bashkia e Tiranës pa drejtues në zyrë, kush e ka përgjegjësinë? Politika 0% Drejtësia 0% Nuk e di 0% Vota total: 0 Sondazhi i ditës: Bashkia e Tiranës pa drejtues në zyrë, kush e ka përgjegjësinë?

