Lekut po i rritet pesha në ekonomi, por euro ende ‘nuk dorëzohet’. Edhe pse monedha vendase po fiton terren dhe monedha evropiane vijon të zhvlerësohet, përdorimi i valutës mbetet i lartë në kursime, kredi dhe borxhe. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të qershorit, 50.9% e totalit të depozitave në banka ishin në valutë, ndërsa niveli i kredive në valutë arriti në 43.5% të totalit të tyre. LEXO edhe...Stoku i kredisë kapërcen për herë të parë mbi 1 trilionë lekë, shtohen edhe depozitat! Rënia e valutave po i zhvendos kursimet në lekë Edhe borxhi i qeverisë vijon të ketë një ekspozim të konsiderueshëm ndaj valutës. Në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit, 41.05% e borxhit të përgjithshëm të qeverisë ishte në valutë, ndërsa euro përbënte rreth 82.6% të borxhit në valutë. Ekspozimi është i lartë sidomos në depozita, janë gati 7.8 miliardë euro kursime në valutë, të cilat preken direkt nga zhvlerësimi. Konvertimi i kursimeve në lekë është automatikisht me vlerë më të ulët. Kurse një mbiçmim i tyre do rriste depozitat, por do të shtrenjtonte kostot e borxhit dhe të kredive të marrë në monedhë të huaj. Banka vlerëson se duhet të mbeten në fuqi masat e deeuroizimit të miratuara rreth 1 dekadë më parë. “Niveli i euroizimit mbetet ende relativisht i lartë, veçanërisht në segmentin e depozitave dhe të kreditimit. Në këto kushte, procesi i deeuroizimit kërkon vijimësinë e masave ekzistuese dhe një qasje të qëndrueshme afatgjatë”, thuhet në raport. Banka e Shqipërisë thotë se zhvlerësimi i euros është ndikuar nga dërgesat e emigrantëve, investimet dhe jo vetëm pasi edhe turizmi në të gjitha hallkat e tij po sjell valutë në vend. “Zhvillimi i turizmit urban, mjekësor dhe i vizitave afatshkurtra ka bërë që edhe gjashtëmujori i parë i vitit të karakterizohet nga një ofertë më e lartë valutore krahasuar me të kaluarën”, thuhet në raport. Aktualisht një euro po këmbehet me 92 lekë, duke rënë me 5.4% në raport me gushtin e vitit të kaluar, ndërsa dollari amerikan nga 83.7 lekë vjet e mbyll gushtin e këtij viti duke u këmbyer me mesatarisht 79 lekë. Xh.K/ReportTv.al leku euro banka e Shqiperise Komento Komente Sondazhi i ditës: Bashkia e Tiranës pa drejtues në zyrë, kush e ka përgjegjësinë? Politika 29.5% Drejtësia 67.6% Nuk e di 2.9% Vota total: 105 Sondazhi i ditës: Bashkia e Tiranës pa drejtues në zyrë, kush e ka përgjegjësinë?

