Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe anëtari i Partisë së Lirisë, Artan Distafa, kritikoi të dielën modelin e zhvillimit urban në Tiranë, ku njerëzit po përballen me trafik të rënduar, mungesë parkimesh, betonizim, ndotje të ajrit dhe zhurmë, Në një deklaratë për mediat, ai akuzoi qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës se po i mbulojnë problemet e kryeqytetit me propagandë. LEXO edhe...Takimi i Ramës me drejtuesit politikë e deputetët e Tiranës, Gogu: Kryeqyteti do të ketë orën e dëgjesës Deklarata e plotë "Tirana e vitit 2026 është kthyer në një qytet ku qytetari paguan gjithnjë e më shumë për të pasur gjithnjë e më pak hapësirë, ajër dhe cilësi jete. Kaos në trafik, mungesë parkimesh, betonizim pa fre, ndotje të ajrit dhe zhurmë. Ky është realiteti i kryeqytetit që qeveria dhe Bashkia e Tiranës përpiqen ta mbulojnë me fasada dhe propagandë. Vetëm në ditët e fundit, Policia Rrugore ka vendosur 2,758 masa administrative për parkime të gabuara, ndërsa në një tjetër aksion ka raportuar rreth 2,000 masa në vetëm 24 orë. Këto nuk janë thjesht shifra policore, por dëshmia e një qyteti që nuk po arrin të menaxhojë nevojat bazë të lëvizjes së qytetarëve. Përgjigjja e pushtetit është gjithmonë e njëjtë, më shumë beton, më shumë kantiere dhe më shumë propagandë. Ndërkohë që qytetari endet me orë në trafik për të gjetur një vend parkimi, pushteti na prezanton parkingje të reja si “sukses”. Bashkia njoftoi së fundmi për parkingun nëntokësor te Sheshi “Italia”, duke e cilësuar si investim të rëndësishëm për kryeqytetin. Por pyetja është e thjeshtë: Pse Tirana ka nevojë gjithmonë për më shumë parkingje? Sepse për vite me radhë është ndjekur një model urbanistik që ka prodhuar kulla, dendësi, miliona metra katrorë beton dhe gjithnjë e më shumë automjete, pa krijuar në të njëjtën masë infrastrukturën që duhet t'i shërbejë këtij qyteti. Tirana po ndërtohet për kullat, jo për qytetarët. Dhe çmimin e kësaj politike e paguan qytetari. E paguan me kohën e humbur në trafik, me tarifat e parkimit, me ajrin që merr frymë dhe me cilësinë e jetës që humbet çdo ditë. Monitorimet mjedisore kanë evidentuar se Tirana përballet me probleme serioze të ndotjes së ajrit dhe zhurmës, ku trafiku dhe betonizimi janë pjesë e problemit urban. Kjo nuk është një Tiranë moderne, por e keqmenaxhuar. Një kryeqytet ku hapësira publike bëhet gjithnjë e më e pakët, ku parkimi është kthyer në luks, ku trafiku është bërë pjesë e përditshmërisë dhe ku ajri e zhurma po kthehen në kërcënim për cilësinë e jetës. Edhe vetë institucionet janë detyruar të pranojnë përmasat e problemit. Bashkia ka evidentuar dhjetëra pika ku hapësirat publike shfrytëzohen për parkime kundrejt pagesës. Pas kaq vitesh në pushtet, qytetarët nuk kanë më nevojë për justifikime. Kanë nevojë për përgjegjësi. Ku është plani i vërtetë për trafikun? Ku është transporti publik që e bind qytetarin të lërë makinën? Ku janë hapësirat e gjelbra? Ku është kontrolli real mbi betonizimin? Ku është qyteti i menduar për familjet dhe jo për kullat? Dhe mbi të gjitha, Kush mban përgjegjësi për këtë model zhvillimi që po e bën Tiranën gjithnjë e më të shtrenjtë, më të ngarkuar dhe më të pabanueshme? Partia e Lirisë e konsideron Tiranën një rast flagrant të një modeli zhvillimi që ka vendosur interesat e betonit mbi interesin publik. Tirana nuk ka nevojë për më shumë kulla. Tirana ka nevojë për më shumë hapësirë. Nuk ka nevojë për më shumë makina.Ka nevojë për transport publik funksional. Nuk ka nevojë për më shumë beton. Ka nevojë për më shumë gjelbërim. Dhe nuk ka nevojë për më shumë propagandë. Ka nevojë për një qeverisje që i shërben qytetarit. Sepse një qytet nuk matet me numrin e kullave që ngrihen në horizont, por me mënyrën se si jetojnë njerëzit në të. Dhe sot, Tirana po na tregon qartë se ky model ka dështuar" U.D/E.H/ReportTv.al bashkia tirane Tirane Partia e Lirise Artan Distafa Komento Komente Sondazhi i ditës: Bashkia e Tiranës pa drejtues në zyrë, kush e ka përgjegjësinë? Politika 29.5% Drejtësia 67.6% Nuk e di 2.9% Vota total: 105 Sondazhi i ditës: Bashkia e Tiranës pa drejtues në zyrë, kush e ka përgjegjësinë?
