Autoritetet shëndetësore franceze kanë konfirmuar rastin e parë të infektimit të një njeriu me virusin Shamonda, një sëmundje që prek kryesisht kafshët, veçanërisht bagëtitë. Pacienti, i cili vuante nga imunosupresioni i rëndë, ka ndërruar jetë në fillim të këtij muaji.
Në një deklaratë të përbashkët, Ministritë franceze të Shëndetësisë dhe Bujqësisë bënë të ditur se virusi, pavarësisht se qarkullon prej disa dekadash në Afrikë dhe Azi, nuk ishte identifikuar më parë te njerëzit.
Sipas autoriteteve franceze, deri më tani nuk është identifikuar asnjë rrezik për shëndetin e popullatës së gjerë. Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se infeksioni nuk pritet të shkaktojë përhapje më të gjerë. “Bazuar në informacionet dhe njohuritë aktuale mbi transmetimin e viruseve të afërta, ky është një rast i izoluar te njeriu dhe nuk ka gjasa të çojë në përhapje më të gjerë në këtë fazë”, deklaroi OBSH për agjencinë e lajmeve Reuters. Virusi Shamonda u identifikua për herë të parë në Nigeri në mesin e viteve 1960. Virusi prek kryesisht kafshët, veçanërisht bagëtitë, dhe është zbuluar prej vitesh te kafshët në Afrikë dhe Japoni. Gjatë vitit 2026, është raportuar edhe përhapja e tij në disa zona të Evropës.
Sipas Ministrisë franceze të Bujqësisë, hipoteza paraprake është se infektimi i pacientit ka ndodhur përmes pickimit të një insekti bartës në lindje të Francës, një zonë ku virusi ishte raportuar te kafshët gjatë pranverës dhe verës së vitit 2026.
Autoritetet franceze kanë nisur hetime biologjike, klinike dhe epidemiologjike për të përcaktuar rrethanat e infektimit. Në proces janë përfshirë ekspertë të shëndetit të njeriut, shëndetit të kafshëve dhe mjedisit. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

