Lajme Zone
Rama bën gati ndryshime drastike në qeverisje
PolitikëCNA

Rama bën gati ndryshime drastike në qeverisje

Kryeministri Edi Rama ndodhej ditën e sotme në Budva në Ma...

Kryeministri Edi Rama ndodhej ditën e sotme në Budva në Malin e Zi, ku ka marrë pjesë në samitin e Procesit të Berlinit.

Pjesëmarrja e tij në këtë samit, ku pjesë janë dhe liderë të ndryshëm evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, vjen në një kohë ku prej më shumë se 10 ditësh në vend po protestohet nga studentët të cilët kërkojnë dorëheqjen e tij.

Pas kthimit nga Mali i Zi, burime zyrtare për CNA kanë bërë me dije se kryeministri Rama po përgatit një shkartisje të qeverisjes së tij.

Të njëjtat burime kanë theksuar, se pritet që kreu i qeverisë të bëjë lëvizje të forta në agjencitë shtetërore kryesore në vend dhe drejtoritë e përgjithshme në shumë institucione.

Më konkretisht mësohet se kryeministri u ka kërkuar ministrave të kërkojnë dorëheqjen e parevokueshme të drejtorëve në varësi të tyre.

Këto lëvizje, do të jenë vazhdim i hapave drejt përfundimit të ndryshimeve në qeveri. Kujtojmë se muajin e kaluar, pati lëvizje në drejtimin e dy prej ministrive më të rëndësishme në vend. Pas largimit të Besfort Lamallarit, Ervin Demo, më 11 shtator u emërua Ministër i Brendshëm.

Ndërkohë më 3 shtator, Klodiana Spahiu u emërua ministre e Shëndetësisë pas dorëheqjes së Evis Salës.

Pas këtyre ndryshimeve pritet të ketë lëvizje të tjera të rëndësishme në nivel ministrash që do t’i mësojmë në ditët në vijim. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.