Lajme Zone
'Fish City Rozafa Apolloni' vishet rozë, Gjergj Luca mikpret gratë e Fierit në një mbrëmje kushtuar jetës, shpresës dhe ndërgjegjësimit
Të tjeraCNA

'Fish City Rozafa Apolloni' vishet rozë, Gjergj Luca mikpret gratë e Fierit në një mbrëmje kushtuar jetës, shpresës dhe ndërgjegjësimit

Nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi ka bërë një reagim lid...

Sonte, 'Fish City Rozafa Apolloni' në Fier u ndez në ngjyrën rozë, duke e shndërruar mbrëmjen në një festë të veçantë kushtuar grave, motrave dhe nënave, në kuadër të Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Në një atmosferë të ngrohtë, të mbushur me emocione, respekt dhe mesazhe shprese, sipërmarrësi Gjergj Luca u bë mikpritësi i një veprimtarie sensibilizuese, ku vëmendja iu kushtua gruas, forcës së saj dhe rëndësisë së kujdesit për shëndetin.

Si një i zoti i shtëpisë që dëshiron t'u shprehë mirënjohjen të ftuarave jo vetëm me fjalë, por edhe me gjeste, Luca e nisi pritjen me dhurimin e një karafili për secilën prej tyre. Më pas, mbrëmja vijoi me një darkë të organizuar enkas për këtë rast, ku sipërmarrësi zgjodhi t'u shërbente personalisht grave të pranishme, duke e kthyer mikpritjen në një shenjë vlerësimi dhe respekti. “Kur nuk më është dukur vetja më i bukur këtu në Fier sesa sonte, mes këtyre zonjave, motrave, grave”, u shpreh Luca, duke përcjellë me këtë fjali emocionin e një mbrëmjeje ku protagoniste ishin ato që mbartin në vetvete forcën e familjes, qëndresën përballë vështirësive dhe vazhdimësinë e jetës. Në fjalën e tij, sipërmarrësi vuri theksin te roli i pazëvendësueshëm i grave në shoqëri, duke i cilësuar ato si një nga vlerat më të mëdha të vendit.

“Gratë, motrat, nënat janë forma më e madhe e këtij vendi. Ato janë forca e familjes, forca e vazhdimësisë, forca e jetës”, theksoi ai, duke nënvizuar se kjo veprimtari, e organizuar në bashkëpunim me përfaqësues të pushtetit vendor, synon të përcjellë një mesazh të qartë: gruaja duhet të jetë në qendër të vëmendjes, jo vetëm për kontributin e saj në familje e shoqëri, por edhe për të drejtën për t'u kujdesur për shëndetin dhe jetën e saj.

Përtej atmosferës festive, Tetori Rozë mbart një thirrje të rëndësishme për ndërgjegjësim, për kontrolle të rregullta mjekësore dhe për diagnostikim të hershëm të kancerit të gjirit. Është një muaj që na kujton se përkujdesja nuk mund të mbetet vetëm një fjalë e bukur, por duhet të shndërrohet në veprim, mbështetje dhe përgjegjësi të përbashkët.

Në këtë frymë, Gjergj Luca përcolli edhe përmes rrjeteve sociale mesazhin e tij të solidaritetit dhe shpresës: “Tetori Rozë na kujton se shpresa është më e fortë se frika, guximi më i madh se dhimbja dhe se pas çdo beteje ekziston mundësia e një fillimi të ri. Sepse jeta është dhurata më e çmuar dhe asnjë grua nuk duhet ta luftojë e vetme këtë betejë.” Në këtë veprimtari mori fjalën edhe nënkryetarja e Bashkisë Fier, e cila vuri theksin te rëndësia e sensibilizimit dhe te përpjekjet e strukturave vendore, punonjësve të bashkisë dhe profesionistëve të shëndetësisë për të qenë pranë grave, për t'i informuar, mbështetur dhe orientuar drejt shërbimeve të nevojshme shëndetësore.

Mesazhi i saj ishte një thirrje për të mos e lënë asnjë grua të ndihet e vetme përballë shqetësimeve që lidhen me shëndetin, por për të ndërtuar një kulturë kujdesi ku informimi, parandalimi dhe mbështetja njerëzore të ecin së bashku.

Mbrëmja në Fish City Rozafa Apolloni ishte më shumë sesa një pritje festive. Ajo u shndërrua në një shenjë vlerësimi për gratë, motrat dhe nënat, për gjithçka që ato përfaqësojnë në jetën e përditshme dhe për forcën me të cilën përballen me sfidat e saj. Një karafil, një tryezë e shtruar me përkujdesje, një fjalë mirënjohjeje dhe një mesazh solidariteti u bashkuan në një atmosferë që i dha ngjyrës rozë kuptimin e saj më njerëzor.

Sepse Tetori Rozë nuk është vetëm një ngjyrë që ndriçon qytetet, por një kujtesë se jeta duhet mbrojtur, shëndeti duhet vlerësuar dhe asnjë grua nuk duhet të përballet e vetme me frikën, pasigurinë apo sëmundjen.

Sonte, Fish City Rozafa Apolloni u vesh rozë, por mbi të gjitha, mbrëmja u vesh me mirënjohje, solidaritet dhe shpresë. Sonte, Fierit i shkoi për shtat kjo ngjyrë, sepse pas saj qëndronin gratë, motrat dhe nënat, ato që janë jo vetëm zemra e familjes, por edhe një nga forcat më të mëdha të jetës. Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.