Një tjetër rast i organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit është zbuluar në Has, ku policia ka sekuestruar 10 makineri elektronike, një tavolinë pokeri dhe sende të tjera që dyshohet se përdoreshin për këtë aktivitet. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Pokeri”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Has, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, arrestuan në flagrancë një 47-vjeçar, banues në Krumë, i cili punonte në lokal. Ndërkohë, pronari i lokalit, një 34-vjeçar, banues në Krumë, është shpallur në kërkim nga policia. Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit, uniformat blu sekuestruan 10 makineri elektronike të markës “APEX”, një tavolinë pokeri, fletore me shënime për evidentimin e shumave të luajtura dhe një aparat celular. Sipas policisë, lokali ishte përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin. Autoritetet po vijojnë punën për kapjen e pronarit dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Kukësit për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve”, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
