Lajme Zone
Harta e re territoriale, Bashkia Cërrik nis konsultimet publike. Kryebashkiaku Doka: Vendimi të merret mbi zërin e qytetarëve, jo mbi debatet politike
PolitikëBalkanWeb
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Harta e re territoriale, Bashkia Cërrik nis konsultimet publike. Kryebashkiaku Doka: Vendimi të merret mbi zërin e qytetarëve, jo mbi debatet politike

Ka nisur zyrtarisht procesi i konsultimit publik për projektligjin e Reformës Administrativo-Territoriale në Bashkinë Cërrik. Pas mbërritjes së shkresës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ka hyrë në fuqi periudha 60-ditore e konsultimit publik, gjatë së cilës qytetarët do të kenë mundësinë të japin mendimet dhe propozimet e tyre për hartën e re territoriale që parashikon reduktimin e numrit

Ka nisur zyrtarisht procesi i konsultimit publik për projektligjin e Reformës Administrativo-Territoriale në Bashkinë Cërrik. Pas mbërritjes së shkresës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ka hyrë në fuqi periudha 60-ditore e konsultimit publik, gjatë së cilës qytetarët do të kenë mundësinë të japin mendimet dhe propozimet e tyre për hartën e re territoriale që parashikon reduktimin e numrit të bashkive në vend nga 61 në 46. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Bashkisë Cërrik, Florenc Doka, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku u ka bërë thirrje banorëve të marrin pjesë aktivisht në proces, duke theksuar se kjo reformë prek drejtpërdrejt të ardhmen e komunitetit dhe nuk duhet të shihet si një debat politik. Sipas Dokës, Bashkia Cërrik ka marrë më 3 gusht 2026 shkresën nr. 3573, datë 31 korrik 2026, të Kuvendit të Shqipërisë, me të cilën nis zyrtarisht periudha 60-ditore e konsultimit publik për projektligjin e Reformës Administrativo-Territoriale. Në këtë kuadër, në ditët në vijim do të organizohen takime konsultuese në qytetin e Cërrikut dhe në të gjitha njësitë administrative të bashkisë. Datat, oraret dhe vendet ku do të zhvillohen këto takime do të bëhen publike së shpejti. Në mesazhin e tij, kryebashkiaku Doka thekson se konsultimi nuk duhet të fokusohet te ekzistenca apo jo e Bashkisë Cërrik si institucion, por te përfitimet konkrete që qytetarët mund të kenë nga çdo model i ri organizimi territorial. Ai nënvizon se qytetarët duhet të informohen plotësisht përpara se të japin opinionin e tyre dhe se procesi duhet të shoqërohet me pyetje dhe përgjigje të qarta mbi ndikimin që reforma do të ketë në jetën e përditshme. Mes çështjeve që Bashkia Cërrik synon të diskutojë gjatë konsultimeve janë:

•nëse vazhdimi i Bashkisë Cërrik si njësi më vete garanton më shumë zhvillim ekonomik, investime dhe shërbime cilësore;

•çfarë përfitojnë konkretisht banorët në rast të një modeli tjetër organizimi;

•si do të përfaqësohet Cërriku në strukturat vendimmarrëse;

•si do të ndahen fondet publike dhe investimet;

•si dhe nëse njësitë e reja do të kenë kompetenca më të gjera apo ndryshimet do të kufizohen vetëm në aspektin administrativ. “Ky nuk është një konsultim për fatin e një kryetari bashkie. Është një konsultim për të ardhmen e komunitetit tonë”, shprehet Doka, duke kërkuar që debati të zhvillohet me qetësi, respekt dhe përgjegjësi. Ai fton qytetarët të marrin pjesë në çdo takim, të bëjnë pyetjet e tyre, të japin propozime dhe të dëgjojnë argumentet, duke garantuar se në përfundim të procesit, qëndrimi zyrtar i Bashkisë Cërrik do të ndërtohet mbi mendimin dhe zërin e qytetarëve. Ndërkohë, kryebashkiaku siguron se puna e administratës vendore do të vijojë normalisht gjatë kësaj periudhe konsultimi. “Kemi 500 punë për të bërë”, shkruan ai, duke theksuar se procesi i reformës nuk do të ndikojë në vijimin e investimeve dhe shërbimeve për komunitetin. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb