Lajme Zone
Gazetarja: Paketa e re fiskale rrit çmimet, rrezik për keqmenaxhim nga administrata
EkonomiCNA

Gazetarja: Paketa e re fiskale rrit çmimet, rrezik për keqmenaxhim nga administrata

Gazetarja Ola Xama komentoi sot propozimet e qeverisë përm...

Gazetarja Ola Xama komentoi sot propozimet e qeverisë përmes Paketës Fiskale 2027.

Në një postim në rrjetet e saj sociale, Xama shprehet se shqetësimi kryesor qëndron te ndikimi i çmimeve për qytetarët shqiptarë.

Xama nënvizon se tjetër rritja e TVSH-së standarde për mallrat e tjerë nga 20 në 21%, do të rritë çmimet në të gjithë produktet, duke nisur nga çmimi i naftës dhe energjisë që do të sjellin efekte zinxhir në gjithë tregun.

Ndërkohë, ndryshimet rritin barrën tatimore për biznesin e vogël me xhiro nga 50 deri në 100 mijë euro në vit pasi ata rifuten në skemën e TVSH-së dhe te kjo kategori qeveria do të vjelë 45 milion euro.

Gazetarja thekson se këto ndryshime shënjestrojnë bankat, kompanitë e telefonisë celulare, koncesionarët dhe bizneset e mëdha në tregun e naftës, pasurive të patundshme e qendrave tregtare.

Në fund, Xama shtron pyetjen nëse administrata do t'i menaxhojë siç duhet këto ndryshime, pa përfshirë favorizimet e "të mëdhenjve". Postimi i plotë:

Propozimi i qeverisë për të ulur në 6% nga 20 që është aktualisht TVSH-në për mallrat e shportës nuk do të sjellë automatikisht uljen e çmimeve. Reduktimi i TVSH-së te shitësi i produktit nuk ul çmimin për disa arsye: 1) konsumatori është i mësuar me të; 2) kërkesa për produktet është inelastike pasi janë të domosdoshme (mielli, vaji, mishi, perimet etj.); 3) reflektimi bëhet më i vështirë në tregje që kanë strukturë monopoli ose oligopoli.

Në Shqipëri rasti i nënçmimit të euros tregoi qartë se forcimi i monedhës vendase nuk solli ulje të çmimeve, por përkundrazi importuesit vendosën të mbanin marzhe fitimi të larta. Po të shohësh kompozimin e tregut, te mielli rezultojnë 3 kompani që kanë shumicën e tij, te orizi 5 (2 distrubutorë të huaj dhe 3 përpunues/ripaketues shqiptarë), te vaji 4 dhe te mishi 5 kompani që zotërojnë shumicën.

Modeli më funksional, është ai i rimbursimit të konsumatorit me para në dorë përmes faturave. Këtu fiton konsumatori direkt, por edhe shteti, pasi nxit konsumatorin të kërkojë faturën dhe të formalizojë ekonominë duke amortizuar dhe humbjet që vijnë në buxhet nga reduktimi i shkallës tatimore. Që kjo të zbatohet pa abuzime, të duhet një administratë tatimore e fortë dhe me punonjës me integritet.

Nga ana tjetër rritja e TVSH-së standarde për mallrat e tjerë nga 20 në 21%, do të rritë çmimet në të gjithë produktet, duke nisur nga çmimi i naftës dhe energjisë që do të sjellin efekte zinxhir në gjithë tregun. Vetëm se këtu ka një veçori, në çmimin fr nuk vendoset presje dhjetore, por rrumbullakoset drejt vlerës më të lartë.

Ndryshimet rritin barrën tatimore për biznesin e vogël me xhiro nga 50 deri në 100 mijë euro në vit pasi ata rifuten në skemën e TVSH-së – te kjo kategori qeveria do të vjelë 45 milion euro. Nga ana tjetër nuk është e sigurtë nëse do të përkthehet si duhet ulja e tatimit për pagat bruto në fashën 200 deri në 300 mijë lekë nga 23% që është sot në 13 që të përfitojë shtresa e mesme. Në Shqipëri paga negociohet në vlerën neto dhe këtu mund të fitojë punëdhënësi.

Ndryshimet tatimore në rritjen e TVSH së reduktuar nga 6% në 10% për resortet me 5 yje dhe përfituesit e statusit investitor strategjik, nuk zhbëjnë përfitimet për konsumatorët e pasur të tyre, të cilët sërish do të kenë një taksë më të ulët me 11 pikë përqindje se kategoritë e tjera.

Dy ndërhyrjet e vetme që rritin taksat për bizneset e mëdha janë rritja e tatimit të korporatave nga 15 në 17% dhe taksa e dividentit që shkon 15% nga 8 që është sot. Këto ndryshime shënjestrojnë bankat, kompanitë e telefonisë celulare, koncesionarët dhe bizneset e mëdha në tregun e naftës, pasurive të patundshme e qendrave tregtare.

Pyetja që shtrohet është, a do t’i menaxhojë si duhet administrata këto të ardhura dhe çfarë na bën të sigurtë se kompensimi për ta nga një qeveri që e ka gjetur gjithmonë gjuhën me më të mëdhenjtë, nuk do të vijë duke u falur një favor tjetër?/CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.