Lajme Zone
“Flamingo doli nga laguna dhe erdhi në Tiranë”/ Takimi me shqiptarët në Miçigan, Rama: Dëgjova që do bënin protestë edhe këtu, do të doja t’i kisha përballë
PolitikëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 7 burime — Krahaso mbulimin →

“Flamingo doli nga laguna dhe erdhi në Tiranë”/ Takimi me shqiptarët në Miçigan, Rama: Dëgjova që do bënin protestë edhe këtu, do të doja t’i kisha përballë

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me shqiptarët në Miçigan.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me shqiptarët në Miçigan. Rama e nisi fjalimin e tij duke iu referuar protestave që po zhvillohen në Tiranë, duke u ndalur te “prania” e flamingos në kryeqytet dhe duke e lidhur atë me reagimet e fundit publike.

Rama tha se protestat janë pjesë e një shoqërie që kërkon më shumë, ndërsa theksoi rëndësinë e debatit dhe të mënyrës se si palët përballen me njëra-tjetrën kur kanë qëndrime të ndryshme.

“Para pak ditësh po lexoja që jo shumë larg nga këtu ku jemi sot, dy apo tre vjet më parë, disa gjuetarë patash vunë re për herë të parë një flamingo. Komisioni shtetëror i regjistrimit të shpendëve në Amerikë e certifikoi zyrtarisht praninë e këtij shpendi dhe e cilësoi një prani jashtëzakonisht të rrallë. Por siç e dimë, këtë verë flamingo doli nga laguna dhe erdhi në Tiranë. Pushtoi bulevardin, ekranet, pasqyrat dixhitale. Askush nuk do i kishte shkuar në mendje se si një shpend aq i hijshëm, por dhe aq i brishtë e butë, do e kthente Shqipërinë në një arenë botërore për turizmin e Trump-izmin. Por për këtë të fundit, pati diçka shumë domethënëse në manifestim. Deri dje natyra dhe gjallesat e saj masakroheshin në Shqipëri, mbase si askund në botë dhe askush nuk pipëtinte. Deri dje Shqipëria lëndohej në shumë mënyra dhe bota as nuk e shihte, ndërsa shqiptarët as nuk mund ta shihnin, sepse jeta në Shqipëri zhvillohej me idenë që ka edhe më keq. Sot kur shumë gjëra kanë ndryshuar, shqiptarët kanë jetuar me idenë që ka edhe më mirë. Një shoqëri që kërkon më shumë, është një shoqëri që është ngritur, ka parë horizontin dhe nuk pranon ta ulë shikimin. Por sepse kërkuam të mësojmë më shumë, ne duhet të mësojmë të kërkojmë më shumë edhe nga vetja si pjesë e shoqërisë së re shqiptare, sidomos në pjesën se si ne e shohim njëri-tjetrin kur mendimet nuk na puqen. Përpara se të vija këtu, dëgjova që disa shqiptarë kishin bërë thirrje të protestonin. Do të kisha dëshiruar që të ishin këtu edhe ata që përballë meje, kritikat t’i thonin me zë dhe përgjigjet t’i dëgjonin me zë. Cilësia e jetës demokratike nuk përcaktohet sesa shpesh biem dakord, por nga mënyra se si nuk biem dakord”, tha ndër të tjera Rama. Top Channel