Peshëngritësi i njohur, Erkand Qerimaj, ka njoftuar tërheqjen e tij nga Kampionati Botëror.
Në një reagim publik përmes profilit të tij në rrjetet sociale, Qerimaj shprehet se ndihet i detyruar të marrë këtë vendim.
Në vijim, Qerimaj kërkon ndërhyrje të mënjëhershme institucionale lidhur me situatën e krijuar në Federatën e Peshëngritjes, pasi i kërkohet të garojë pa trajner që e mbështet në përfaqësimin kombëtar me këtë sport. “Me keqardhje, ndihem i detyruar të tërhiqem nga Kampionati Botëror, garë kualifikuese për Lojërat Olimpike, pasi drejtuesi i Federatës ka vendosur që të garoj pa asnjë trajner në krah.
- I kërkoj Ministrisë përgjegjëse për Sportin dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar të ndërhyjnë URGJENTISHT, të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të zgjidhin këtë situatë. Nuk mjaftojnë heshtja apo deklaratat formale; kërkohen veprime konkrete dhe llogaridhënie institucionale.
- Federata e Peshëngritjes nuk është pronë private e askujt! Ajo nuk mund të drejtohet sipas interesave personale dhe as të përdoret për të penguar sportistët që përfaqësojnë Shqipërinë.
- Fondet publike duhet të shërbejnë për mbështetjen e sportistëve dhe trajnerëve, jo për konflikte personale apo vendime që dëmtojnë përfaqësimin kombëtar.
- Prej tre vitesh përballem me kallëzime të përsëritura në polici nga një person që e konsideroj dashakeqës ndaj meje, ndërsa tani rrezikohet edhe pjesëmarrja ime në një garë me rëndësi olimpike.
U kërkoj institucioneve përgjegjëse të veprojnë menjëherë, të shqyrtojnë këtë çështje, të garantojnë të drejtat e mia si sportist dhe të kërkojnë llogari për vendimet e marra.
Nuk kërkoj privilegje, por drejtësi, barazi dhe respekt për sakrificën time sportive.
Nuk mund të pranohet që një sportist të detyrohet të heqë dorë nga një garë kualifikuese olimpike për shkak të vendimeve të drejtuesve të institucionit që duhet ta mbështesë.
Heshtja institucionale nuk është zgjidhje. Ndërhyrja është detyrim! Përgjegjësia duhet të mbahet, ndërsa flamuri shqiptar dhe sportistët që e përfaqësojnë duhet të jenë mbi çdo interes personal”,-shprehet Qerimaj./CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

