Presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar publikisht CEO-n e Anthropic, Dario Amodei, pas deklaratave të këtij të fundit për një ngadalësim të mundshëm në zhvillimin e modeleve të inteligjencës artificiale. Përmes një postimi në Truth Social, Trump deklaroi se Inteligjenca Artificiale nuk ka nevojë për kontrolle të tjera, por për një president “të fortë dhe të mençur”, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara e kanë një të tillë.
“E vetmja mbrojtje që i duhet IA-së është një president i fortë dhe i mençur, me IQ të lartë dhe SHBA-të e kanë atë, dhe me bollëk”, shkroi Trump.
Presidenti amerikan tha se administrata e tij ka ndërhyrë për të parandaluar drejtuesit e kompanive të Inteligjencës Artificiale që të angazhohen në veprime që ai i konsideron të këqija ose potencialisht të dëmshme. Duke iu referuar Amodeit, Trump tha se ai tani po përpiqet të paraqitet si një “engjëll i vogël perfekt”. Trump theksoi gjithashtu se administrata e tij ka “pushtet të jashtëzakonshëm” mbi kompanitë e Inteligjencës Artificiale, si përmes çështjeve penale, ashtu edhe përmes rregulloreve.
Në postimin e tij, presidenti amerikan foli edhe për atë që e cilësoi si një “konspiracion të sëmurë” kundër Inteligjencës Artificiale dhe qendrave të të dhënave. Sipas tij, i vetmi vend që përfiton nga një zhvillim i tillë është Kina.
“Kushdo që fiton Inteligjencën Artificiale, fiton”, shkroi Trump, duke shtuar se SHBA-ja është aktualisht përpara Kinës dhe vendeve të tjera në garën për zhvillimin e kësaj teknologjie.
“Ne jemi përpara Kinës dhe të gjithëve të tjerëve, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, deklaroi ai.
Në fund të postimit, Trump paralajmëroi me tone të ashpra teoricienët e konspiracioneve, tradhtarët, dezertorët dhe personat që rrjedhin informacion, duke u thënë: “Kujdes”.
Postimi i Trump vjen në një kohë kur gara për zhvillimin e Inteligjencës Artificiale mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës është kthyer në një prej çështjeve kryesore strategjike dhe teknologjike për administratën amerikane. Top Channel

