Gjuhët e shpikura zakonisht lidhen me botët e fantazisë dhe të fantashkencës. Por ndoshta, kur ishit fëmijë, keni krijuar edhe ju një gjuhë tuajën, qoftë edhe si lojë. Merrni si shembull Pig Latin, një lojë gjuhësore ku bashkëtingëllorja e parë e një fjale zhvendoset në fund dhe i shtohet tingulli “-ay”. Kështu, “Pig Latin” bëhet “ig-pay atin-lay”, ndërsa fjalëve që fillojnë me zanore u shtohet “-way” në fund. Me pak praktikë, mund të zhvilloni edhe biseda të tëra në Pig Latin.Lexo edhe:Nuk është Tirana, ja nga ku mund ta shihni më mirë eklipsin diellor sonte... Megjithatë, krijimi i mënyrave të reja të komunikimit shkon shumë përtej lojërave të fëmijëve apo ushtrimeve për trurin. Gjatë historisë, njerëzit kanë shpikur ose përshtatur gjuhë për arsye të ndryshme, nga nevoja dhe krijimtaria, deri te interesat shkencore. Procesi i krijimit të një gjuhe mund të na japë gjithashtu një dritare për të kuptuar se si funksionon truri ynë. Nga gjuhët e koduara të lojërave të fëmijëve deri te gjuhët “miniaturë” të krijuara në laboratorë, çdo formë e re komunikimi zbulon diçka për aftësinë tonë për të mësuar dhe përvetësuar rregulla të reja. Pidginët: gjuhë të lindura nga nevoja Shumë gjuhë të reja nuk kanë lindur në zyra apo laboratorë, por në vendet ku takohen kultura të ndryshme. Kur dy komunitete që flasin gjuhë të ndryshme kanë nevojë të komunikojnë për të bërë tregti ose thjesht për të bashkëjetuar, mund të krijohet një formë e thjeshtuar komunikimi e njohur si pidgin. Mendohet se fjala “pidgin” ka lindur nga mënyra se si kinezët shqiptonin fjalën angleze “business”. Këto “gjuhë kontakti”, siç quhen, marrin pjesën më të madhe të fjalorit nga gjuha që dominon marrëdhëniet shoqërore dhe ekonomike, por e thjeshtojnë dhe e riorganizojnë gramatikën për ta bërë komunikimin më të lehtë. Kjo bën që ato shpesh të kenë rregulla të përbashkëta. Gjuhët e planifikuara Jo të gjitha gjuhët artificiale krijohen në mënyrë spontane. Disa ndërtohen që nga fillimi, me një planifikim të hollësishëm, njësoj si një projekt inxhinierik apo arkitektonik. Dhe struktura ka rëndësi, sepse një gjuhë e re ka nevojë për më shumë sesa fjalë të reja, ajo duhet të ketë edhe rregulla për mënyrën se si kombinohen fjalët, si dhe një komunitet folësish. Një shembull janë gjuhët Elvish të krijuara nga J.R.R. Tolkien, autori i “The Lord of the Rings” dhe “The Hobbit”. Përpara se të shkruante romanet dhe t’i bënte personazhet e tij të flisnin, Tolkien, i cili ishte gjuhëtar i trajnuar, zhvilloi gramatikën, historinë dhe tingujt e këtyre gjuhëve. Ai donte që ato të ishin po aq të qëndrueshme dhe koherente sa çdo gjuhë natyrore. Diçka e ngjashme ndodhi me esperanton, një gjuhë e krijuar në vitin 1887 nga L.L. Zamenhof. Synimi i tij ishte të krijonte një gjuhë të dytë ndërkombëtare që të ishte e lehtë për t’u mësuar, me rregulla të qarta dhe pa përjashtime. Sot ekziston një komunitet global njerëzish që flasin esperanto. Klingonishtja është krejt e kundërta. E krijuar nga gjuhëtari MarkOkrand në vitet 1980 për serialin televiziv “Star Trek”, ajo u projektua qëllimisht për të tingëlluar si një gjuhë aliene. Për këtë, Okrand përdori tinguj të pazakontë dhe një strukturë të ndërlikuar fjalie me rendin kundrinor–folje–kryefjalë. Klingonishtja është veçanërisht interesante sepse, ndryshe nga esperantoja, u krijua për një histori të caktuar fiktive dhe sipas nevojave të skenarit. Kjo tregon se gjuhët e sajuara mund të kenë qëllime shumë të ndryshme: nga mundësimi i komunikimit ndërkombëtar deri te ndërtimi i një bote imagjinare të pasur dhe bindëse. Neuroshkenca e gjuhëve të krijuara Për shumë vite nuk ishte e qartë se si reagon truri ndaj gjuhëve të shpikura. Për ta studiuar këtë çështje, një studim i vitit 2025 në Massachusetts Institute ofTechnology (MIT) përdori imazhe të rezonancës magnetike funksionale për të regjistruar aktivitetin e trurit te njerëzit që flisnin gjuhë të tilla. Rezultatet ishin të qarta. Kur folësit e rrjedhshëm përdornin gjuhë të shpikura, si esperantoja, klingonishtja, gjuha Na’vi nga “Avatar” dhe gjuhët HighValyrian ose Dothraki nga “Game of Thrones”, truri aktivizonte të njëjtat rrjete nervore që përdor për një gjuhë natyrore. Me fjalë të tjera, nuk kishte ndryshim në mënyrën se si truri përpunonte gjuhët natyrore dhe ato të shpikura. Por që truri t’i perceptojë këto gjuhë si gjuhë të mirëfillta, ato duhet të shprehin kuptime për botën, njerëzit e tjerë dhe gjendjet tona mendore. Për këtë arsye, gjuhët e programimit, pavarësisht rregullave dhe strukturës së tyre të qartë, nuk aktivizojnë të njëjtat zona të trurit. Gjuhët “miniaturë” të krijuara në laborator Aftësia jonë për të mësuar gjuhë të reja nuk është vetëm rezultat i kureshtjes; ajo është gjithashtu një mjet i vlefshëm për kërkimin shkencor. Në psikolinguistikë, shpesh krijohen gjuhë “miniaturë” për të studiuar mënyrën se si mendja e njeriut mëson. Këto mini-gjuhë kanë rregulla të thjeshta dhe fjalor të shpikur. Ato u mundësojnë studiuesve të vëzhgojnë se si njerëzit dallojnë modelet dhe mësojnë struktura të reja, pa “zhurmën” që mund të shkaktojë gjuha e tyre amtare. Çuditërisht, aftësia e njerëzve për t’i mësuar këto gjuhë të sajuara mund të parashikojë me saktësi mjaft të madhe aftësinë e tyre për të mësuar gjuhë të vërteta. Studimi i gjuhëve artificiale na çon në një përfundim të qartë: truri kërkon vazhdimisht modele, kuptim dhe qëllim komunikues. Në fund të fundit, kërkimet shkencore na japin një mësim të fuqishëm. Edhe pse gjuhët e botës janë jashtëzakonisht të larmishme, mënyra se si truri ynë i mëson dhe i përdor ato mbështetet në të njëjtën arkitekturë mendore. Nëse një formë komunikimi ka rregulla dhe shërben për të përcjellë ide, truri ynë mund ta përvetësojë dhe ta shndërrojë në një mjet për të menduar, për të bashkëvepruar me të tjerët dhe për të ndërtuar njohuri.

