Alergologët në SHBA po paralajmërojnë për një rritje të numrit të rasteve të ezofagitit eozinofilik (EoE), një sëmundje e ezofagut, e cila ndonjëherë diagnostikohet gabimisht si alergji ushqimore kur shfaqet dhe shkakton probleme me gëlltitjen për vite me radhë. “Jo çdo reagim shqetësues pas ngrënies është anafilaksi”, tha alergologu Talal Nsouli nga Kolegji Amerikan i Alergjisë, Astmës dhe Imunologjisë (ACAAI), duke paralajmëruar se EoE mund të shkaktojë “vizita të përsëritura në urgjencë përpara se të vendoset diagnoza e saktë”.Lexo edhe:Vitamina C mund të pengojë formimin e substancave që lidhen me kancerin në stomak, zbulimi i ri shkencor “Kur shtrëngimi i fytit, vështirësia në gëlltitje ose ngecja e ushqimit përsëriten, veçanërisht kur testet për alergji ushqimore rezultojnë negative, duhet të mendojmë për EoE”, u tha Nsouli delegatëve që morën pjesë në takimin vjetor shkencor të ACAAI-t në Phoenix, Arizona. Një lloj i qelizave të bardha të gjakut, i quajtur eozinofil, grumbullohet në ezofag, duke shkaktuar ënjtje dhe irritim. Nëse kjo gjendje lihet për një kohë të gjatë pa u trajtuar, përfshirë rastet kur vendoset një diagnozë e gabuar ose kur kalojnë muaj dhe vite duke u përpjekur të identifikohet një alergji ushqimore, pacienti mund të përfjë me vështirësi serioze në gëlltitje. ACAAI shpjegoi se, megjithëse EoE është një gjendje alergjike e ezofagut, ajo nuk është një “alergji e vërtetë ushqimore”. Gjithashtu, bëri të ditur se numri i rasteve të diagnostikuara është rritur shtatëfish që nga viti 2009. Edhe pse nuk është alergji ushqimore, personat që vuajnë nga gjendje të lidhura me të, si astma, ethet e barit, ekzema dhe alergjitë ushqimore, kanë më shumë gjasa të preken nga EoE sesa personat e tjerë. Në konferencën e ACAAI-t u prezantuan raste studimore të 29 të rriturve, të cilët u dërguan te një alergolog pas vizitave të shumta në urgjencë dhe diagnozave të gabuara të alergjisë ushqimore dhe anafilaksisë. Ata kishin shfaqur simptoma të tilla si shtrëngim të fytit, vështirësi në gëlltitje, dhimbje gjoksi, jargëzim dhe ngecje të ushqimit në ezofag. Mesatarisht, u deshën pesë vjet përpara se të vendosej diagnoza e saktë: EoE. “Identifikimi i hershëm i sëmundjes mund të parandalojë vite të tëra pasigurie dhe dëmtimin progresiv të ezofagut”, tha Nsouli./DPA News

