Dy raste të paligjshme të prerjes dhe transportit të lëndës drusore janë konstatuar nga Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) gjatë kontrolleve në terren në qarqet Kukës dhe Dibër. Në Kukës, Drejtoria Rajonale e IKMT-së ndërhyri në zonën e njohur si stanet e Lusnës, ku bllokoi 5 metër kub dru zjarri. Personat e përfshirë u shoqëruan nga policia, ndërsa lënda drusore u konfiskua dhe iu vu në dispozicion Njësisë Administrative Ujmisht, për t’u përdorur për ngrohjen e shkollës dhe të qendrës së fshatit. Rasti i dytë u konstatua në qarkun Dibër, ku inspektorët bllokuan një automjet të ngarkuar me lëndë drusore pa dokumentacionin përkatës, në aksin rrugor Linos–Guri i Bardhë–Martanesh. Për këtë rast, ndaj subjektit u morën masa administrative, me gjobë dhe bllokimin e lëndës drusore.
