Policia e Lezhës ka parandaluar një atentat, duke vënë në pranga tre shtetas, të dyshuar për bashkëpunim në planifikimin e një vrasjeje.
Në kuadër të operacionit “Detajet”, u arrestuan E. T., 25 vjeç, banues në Barbullush; K. Y. (Sh.), 34 vjeç, banues në Kamzë; dhe V. P., 38 vjeç, banues në Kurbin.
Sipas njoftimit zyrtar, dy prej të dyshuarve lëviznin të armatosur dhe me skafandra me një motomjet në aksin e vjetër rrugor Pllanë–Lezhë, me qëllim kryerjen e krimit. Personi i tretë dyshohet se bashkëpunonte me ta, duke i ndihmuar të largoheshin nga zona me automjet pas realizimit të planit.
Ndërhyrja e Policisë u bë pas marrjes së informacionit për lëvizjet e dyshimta të dy personave me skafandra. Pas kontrolleve dhe patrullimeve në zonën e Lezhës dhe në drejtim të Shkodrës, shërbimet e Policisë ndaluan një automjet tip “Volksëagen” në segmentin rrugor Gjadër–Barbullush.
Në automjet ndodheshin tre të dyshuarit, ndërsa gjatë kontrolleve fizike, në motomjet dhe në banesën e njërit prej tyre, u gjetën tri armë zjarri, pistoleta me krehra e fishekë, si dhe municion luftarak.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se motomjeti i dyshuar si i përdorur për planin kriminal ishte i vjedhur në Suedi. Çelësat e tij iu gjetën njërit prej të arrestuarve.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni i koduar “Detajet”.
Vihen në pranga 3 shtetas, të cilët, në mënyrë të organizuar dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin planifikuar të kryenin vrasjen.
2 prej tyre, të armatosur dhe me skafandra, lëviznin me një motomjet të vjedhur në Suedi, në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”, për të kryer krimin.
Shtetasi tjetër, bashkëpunonte me ta, duke i ndihmuar që të largoheshin me automjet nga zona ku kishin planifikuar të kryenin vrasjen.
Sekuestrohen 3 armë zjarri (pistoleta), si dhe automjeti dhe motomjeti i përdorur në këtë rast.
Si rezultat i punës së mirëorganizuar operacionale të specialistëve të Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në kuadër të intensifikimit të punës operative dhe kontrolleve, me objektiv madhor parandalimin e ngjarjeve kriminale, u finalizua operacioni i koduar “Detajet”.
Gjatë këtij operacioni u arrestuan shtetasit E. T., 25 vjeç, banues në fshatin Barbullush, K. Y. (Sh.), 34 vjeç, banues në Kamzë, dhe V. P., 38 vjeç, banues në Kurbin (shtetas me precedentë të shumtë penalë për krime kundër personit, brenda dhe jashtë shtetit).
Menjëherë pas marrjes së informacionit se në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë” dy shtetas me skafandra, të cilët lëviznin me motomjet, kryenin lëvizje të dyshimta, shërbimet e Policisë organizuan punën dhe shkuan në zonën e sinjalizuar.
Si rezultat i patrullimeve komplekse dhe krehjes së zonave ku dyshohej se kishte lëvizur motomjeti, në Lezhë dhe në drejtim të Shkodrës, në segmentin rrugor “Gjadër-Barbullush”, u ndalua automjeti tip “Volksëagen”, me të cilin po lëviznin shtetasit V. P. dhe K. Y. (Sh.), të konstatuar më parë duke lëvizur me motomjet në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”. Këta shtetas shoqëroheshin në automjet nga bashkëpunëtori i tyre, shtetasi E.T., drejtuesi i automjetit, me qëllim largimin nga zona ku kishin planifikuar vrasjen.
Gjatë kontrollit fizik, të motomjetit dhe në banesën e shtetasit E. T. dhe përreth saj, u gjetën 3 armë zjarri (pistoleta), me krehra dhe fishekë, municion luftarak, motomjeti i dyshuar i përdorur për rastin, çelësat e të cilit iu gjetën shtetasit 34-vjeçar.
Nga verifikimet rezultoi se motomjeti ishte i vjedhur në Suedi. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

