Një konflikt i dhunshëm ka ndodhur në një servis makinash në zonën Neos Kosmos të Athinës, ku janë përfshirë një 49-vjeçar shqiptar dhe pronari 45-vjeçar i biznesit, me origjinë armene.
Sipas informacioneve të raportuara nga mediat greke, 49-vjeçari ka shkuar fillimisht në servis dhe ka nisur të ofendojë pronarin, ndërsa më pas dyshohet se ka tentuar ta sulmojë fizikisht. Persona të tjerë që ndodheshin në ambient kanë ndërhyrë për ta larguar, por para se të largohej, 49-vjeçari dyshohet se e ka kërcënuar pronarin: “Këtë do ta paguash me gjak”.
Pak minuta më vonë, situata është përshkallëzuar. 49-vjeçari është kthyer sërish në servis, këtë herë duke mbajtur një thikë rreth 26 centimetra të gjatë. Ai dyshohet se i është afruar pronarit duke e kërcënuar me fjalët: “Do të të vras, do të të ther”.
Bashkëshortja e pronarit dhe një prej punonjësve kanë ndërhyrë për ta neutralizuar përkohësisht 49-vjeçarin. Në këto momente, pronari ka marrë një levë metalike, rreth 75 centimetra të gjatë, dhe e ka goditur 49-vjeçarin në kokë dhe në këmbë.
Pas përplasjes, 49-vjeçari është larguar nga servisi, ndërsa sipas dëshmive të mbledhura nga autoritetet, ai ka vijuar me kërcënimet ndaj pronarit.
“Do të të vras, por nuk dua të të vras para gruas tënde. Do të të gjej vetëm dhe do të ta djeg biznesin”, dyshohet se i ka thënë ai para se të largohej.
Ngjarja përfi me arrestimin e të dy personave. 49-vjeçari shqiptar u arrestua për fyerje, tentativë për shkaktim të dëmtimit trupor dhe shkelje të legjislacionit për armët.
Nga ana tjetër, pronari 45-vjeçar i servisit u arrestua për shkaktim të rrezikshëm të dëmtimit trupor, për goditjet e kryera ndaj 49-vjeçarit me levën metalike.
Autoritetet greke po hetojnë rrethanat e plota të konfliktit dhe dinamikën e përplasjes mes dy personave.

