Lajme Zone
Disheza e Ramës: Si familja Trump i shembi fasadën ndërkombëtare
PolitikëPamfleti

Disheza e Ramës: Si familja Trump i shembi fasadën ndërkombëtare

Edi Rama nuk ndodhet ende në izolim diplomatik. Brukseli vazhdon ta trajtojë si partner për integrimin, Roma si bashkëpunëtor për emigracionin dhe Uashingtoni nuk ka ndryshuar qëndrim zyrtar ndaj qeverisë së tij. Por kryeministri po humb diçka që i ka shërbyer po aq sa pushteti formal, imazhin ndërkombëtar që ndërtoi gjithë këto vite.

Edi Rama / Për vite të tëra, Perëndimi i mbylli sytë para sistemit të favoreve klientelisteve të Edi Ramës. Përfshirja e familjes Trump ia çau fasadën e reformatorit dhe ekspozoi kryeministrin që përdor shtetin për klientët e pushtetit... Disheza nuk nis kur kancelaritë mbyllin dyert. Ajo nis kur propaganda humb fuqinë për të përcaktuar se çfarë shohin të tjerët.

Edi Rama nuk ndodhet ende në izolim diplomatik. Brukseli vazhdon ta trajtojë si partner për integrimin, Roma si bashkëpunëtor për emigracionin dhe Uashingtoni nuk ka ndryshuar qëndrim zyrtar ndaj qeverisë së tij. Por kryeministri po humb diçka që i ka shërbyer po aq sa pushteti formal, imazhin ndërkombëtar që ndërtoi gjithë këto vite.

Për më shumë se një dekadë, Rama u shfaq para Perëndimit si artisti në politikë, reformatori proevropian dhe modernizuesi që po nxirrte Shqipërinë nga e shkuara. Ndërsa gazetarët shqiptarë raportonin për koncesione, ligje të posaçme, prona publike dhe klientë të qeverisë, ai u tregonte mediave të huaja piktura, atlete dhe batuta. Dhe e zhvendosi vëmendjen nga mënyra e qeverisjes te spektakli i komunikimit.

Këtu qëndron mjeshtëria e propagandës së tij. Rama nuk i përgënjeshtron faktet. Ai i mbulon me një histori tjetër. Qeveria e tij e quan koncesionin investim, favorin zhvillim, përjashtimin privilegj strategjik, betonizimin transformim dhe kundërshtinë baltë politike. Ai nuk i përgjigjet skandalit. Ai ndryshon skenën.

Kjo metodë funksionoi sepse kancelaritë perëndimore pranuan ta shihnin Shqipërinë përmes skenografisë së Ramës. Kryeministri u ofroi stabilitet, kontroll të emigracionit, besnikëri ndaj NATO-s dhe retorikë proevropiane. Ato i dhanë legjitimitet. Për sa kohë Rama garantonte interesat e tyre, ato e trajtonin korrupsionin, përqendrimin e pushtetit dhe klientelizmin si probleme të brendshme shqiptare.

Rama nuk e shpiku mekanizmin për Jared Kushnerin dhe Ivanka Trumpin. Qeveria e tij kishte përdorur më parë ligje të përshtatura, statuse strategjike, prona publike dhe investime shtetërore për t’u hapur rrugë projekteve të përzgjedhura. Projekti në Sazan dhe Zvërnec ndryshoi vetëm emrin e përfituesit. Por emri Trump ndryshoi peshën e historisë.

Në një dosje të vetme u bashkuan prona të kontestuara, zona me mbrojtje mjedisore, turizëm luksoz, infrastrukturë publike dhe lidhje politike në nivelin më të lartë. Familja Trump u dha mediave amerikane një interes të drejtpërdrejtë. Protestat u dhanë pamje. Konfliktet e pronësisë u dhanë dokumente. Rama nuk mund ta mbyllte më historinë brenda kufijve shqiptarë.

Financial Times e vendosi kryeministrin në qendër të përgjegjësisë politike për projektin dhe raportoi për protestuesit që e quajtën “Diktatori i fundit”. Le Monde e lidhi revoltën e të rinjve me korrupsionin, shërbimet e dobëta dhe një ekonomi që favorizon elitën. The Atlantic e paraqiti projektin e familjes Trump si shkakun që bashkoi kundërshtimin mjedisor me zemërimin ndaj qeverisë. The New Republic e përshkroi Ramën si sponsorin politik të projektit dhe e lidhi modelin e tij me ndërtimet masive, konfliktet e pronësisë dhe përjashtimin e qytetarëve nga vendimmarrja.

Këto media nuk ndjekin një komandë të përbashkët. Megjithatë, ato po ndërtojnë të njëjtin portret. Rama nuk shfaqet më si artisti që modernizon Shqipërinë. Ai shfaqet si drejtuesi që përdor shtetin për t’ia përshtatur territorin kapitalit të lidhur me pushtetin.

Këtu nis disheza.

Për vite, Rama kontrolloi hendekun mes asaj që dinin shqiptarët dhe asaj që besonte Perëndimi. Projekti Trump e shembi këtë ndarje. Gazetarit të huaj nuk i duhej më të kuptonte hartën e oligarkëve vendas. Ai kishte përpara një familje presidenciale amerikane, një ishull publik, një zonë të mbrojtur dhe një kryeministër që ua kishte hapur dyert katër kanatesh.

Perëndimi nuk i ndezi dritat kur qeveria favorizoi aktorë vendas dhe të huaj pa ndonjë peshë të madhe ndërkombëtare. I ndezi kur historia preku familjen Trump. Ky fakt akuzon Ramën, por ekspozon edhe hipokrizinë perëndimore.

Partnerët e Shqipërisë kishin informacion. Gazetarët kishin publikuar fakte. Organizatat ndërkombëtare kishin raportuar për korrupsionin, lirinë e medias dhe dobësitë e shtetit ligjor. Perëndimi nuk vuante nga mungesa e të dhënave. Ai zgjodhi të mos shihte për sa kohë pasojat i paguanin vetëm shqiptarët.

Rama tani përballet me një krizë që nuk e administron dot me makinerinë e zakonshme. Ai mund të sulmojë mediat shqiptare, të ndryshojë temën e ditës dhe ta paraqesë çdo kritik si zgjatim të opozitës. Ai nuk mund të diktojë titujt e Financial Times, Le Monde, The Atlantic apo The New Republic.

Kjo nuk përbën ende rrëzim diplomatik. Qeveritë perëndimore vazhdojnë ta konsiderojnë partner funksional. Por partneriteti nuk e rikthen automatikisht reputacionin. Kur mediat me ndikim ndryshojnë mënyrën se si e përshkruajnë një kryeministër, pyetjet e tyre kalojnë gradualisht në parlamentet, institucionet dhe vendimmarrjen politike.

Rama nuk ka humbur ende mbështetjen e Perëndimit. Ai ka humbur monopolin mbi mënyrën se si Perëndimi e sheh./Pamfleti

disheza gjergj zefi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Presidenti i Amerikës është "peng" në Teheran 4 Gusht 2026, 10:5610:56Editorial Donald Trump, "Haxhi Pishmani" i Uashingtonit 2 Gusht 2026, 12:4712:47Editorial Kush fshihet pas krizës në Ceuta? 1 Gusht 2026, 12:2512:25Editorial Ceuta, kufiri i ndërgjegjes evropiane 31 Korrik 2026, 11:2211:22Editorial Pse Shqipërisë i duhet një Peter Magyar 30 Korrik 2026, 11:3411:34Editorial Arabia Saudite, në luftë me detyrim dhe përcaktim 29 Korrik 2026, 11:0711:07Editorial