Një banesë në fshatin Domen të Postribës, në qarkun e Shkodrës, është përfshirë nga flakët mesditën e sotme. Sipas informacioneve paraprake, banesa është djegur plotësisht. Për shkak të terrenit të vështirë malor, forcat zjarrfikëse kanë hasur vështirësi për të mbërritur në vendngjarje, ndërsa kur kanë arritur, objekti ishte tashmë i shkrumbuar. Banesa ndodhet rreth 30 minuta në këmbë nga rruga automobilistike, çka dyshohet se ka ndikuar në vonesën e ndërhyrjes. Aktualisht, autoritetet po kryejnë verifikimet në vendngjarje për të sqaruar rrethanat e zjarrit dhe nëse ka persona të prekur. Deri në këtë fazë nuk ka një konfirmim zyrtar mbi pasojat, ndërsa priten detaje të mëtejshme nga autoritetet kompetente.
