Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” me afat 45 ditë për 6 personat e arrestuar si të dyshuar për goditjen e Shefit të Krimeve të Komisariatit të Sarandës, Mateo Bakalli. Vendimi është dhënë pasditen e djeshme nga gjyqtari Shkëlzen Licaj pas një seance që zgjati disa orë. Prokuroria kishte kërkuar vlerësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë të shtetasve Ardit Kasemi, Besnik Sulovari, Elgent Ndoj, Faik Hoxha, Indrit Cullhaj dhe Marjo Katirai dhe caktimin ndaj tyre të masës së sigurimit “Arrest në burg”. Pas vlerësimit të provave të paraqitura nga organi akuzës dhe dëgjimit të mbrojtes së të dyshuarve, gjykata vendosi vlerësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë të tyre dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” me afat 45 ditë me qëllim mbledhjen e provave të reja për mbështjen e akuzës. Njoftimi i Gjykatës së Sarandës:
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, u dha masa e sigurisë ‘Arrest me burg’ për gjashtë shtetasit A.K., B.S., E.N., F.H., I.Ç., dhe M.K. të akuzuar për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 237/3 dhe 25 të Kodit Penal. Hetimet mbi procedimin penal nr. 594, datë 17.08.2026, nisën pasi më datë 16.08.2026, në orët e para të mëngjesit Shefi i Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, shtetasi M. B., ndërhyu për neutralizimin e një konflikti mes punonjësve të sigurisë së klub “Orange”, Sarandë, të cilët ishin duke goditur disa shtetas. Pavarësisht se ky shtetas kur u afrua u prezantua se ishte Shefi i Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, ai u godit nga punonjësit e sigurisë.
Me vendimin datë 19.08.2026, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë pranoi kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës se sigurimit “Arrest me burg” parashikuar nga neni 238 k.Pr.Penale për gjashtë shtetasit e arrestuar. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

