Me tensione dhe debate është shoqëruar mbledhja e Këshillit Bashkiak të Maliqit, ku ditën e sotme pritej të merrej një vendim lidhur me propozimin për shkrirjen e Bashkisë Maliq dhe bashkimin e saj me Bashkinë Korçë. Këshilltarët e opozitës kanë kërkuar votim unanim kundër shkrirjes së Bashkisë Maliq, ndërsa këshilltarët e mazhorancës kanë kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me draftligjin dhe për të diskutuar përmbajtjen e tij. Në këto kushte, mbledhja e Këshillit Bashkiak është mbyllur pa një vendimmarrje përfundimtare. Debatet kanë vijuar edhe pas përfundimit të mbledhjes. Një prej qytetarëve të pranishëm, i cili mbante një bastun, është konfliktuar fizikisht dhe ka shtyrë kryetarin e Këshillit Bashkiak të Maliqit, Ornildi Demollari. Deputetët e opozitës, Ledina Alolli dhe Tedi Blushi, e kanë cilësuar mbledhjen e sotme si të zhvilluar sipas një skenari, ndërsa kanë bërë thirrje për reagim qytetar kundër propozimit për shkrirjen e Bashkisë Maliq. Sipas tyre, kjo bashki duhet të vijojë të funksionojë si njësi administrative më vete. “Dhe për më tepër, është shumë e turpshme që sot në këtë mbledhje duhet të ishin deputetët, edhe deputetët e Partisë Socialiste, të cilët kur dolën në fushatë, a u premtuan banorëve, a u thanë banorëve të Maliqit se do t’ua shkrijnë bashkinë? A ishte kjo arsyeja pse Maliqi e votoi Partinë Socialiste? Në rast se e ka votuar, po e zëmë se ato vota janë të ndershme në Maliq. A u premtoi Niko Peleshi në fushatë që do t’ua shkrijë bashkinë? A u premtoi Ilir Pendavinji këtyre banorëve që do t’ua shkrijë bashkinë? A u premtoi Romina Kuko këtyre banorëve që do t’ua shkrijë bashkinë?”, është shprehur Tedi Blushi. Ndërkohë, nga ana tjetër, Ledina Alolli, ka denoncuar publikisht atë që e cilësoi si një skenar politik të orkestruar nga mazhoranca për të shmangur një vendim zyrtar, pavarësisht se, sipas saj, shumica dërrmuese e banorëve e kundërshtojnë këtë nismë. “Sapo përfi mbledhja e paprecedentë e Bashkisë Maliq. Këshilltarët e bashkisë duhet të shpreheshin në mënyrë të qartë për propozimin e PS-së. 95% e banorëve janë shprehur kundër bashkimit të Maliqit me Korçën, prisnim të merrnim vendim zyrtar. Një skenar nga Niko Peleshi, nga Gëzim Topçiu, vijnë këshilltarët e kërkojnë informacione të mëtejshme. Niko Peleshi dhe Gëzim Topçiu kanë qenë në takim me Ramën, çfarë informacioni kërkojnë këta?”, është shprehur ajo. Për disa ditë me radhë janë zhvilluar dëgjesa publike në njësitë administrative të Bashkisë Maliq, ku, sipas diskutimeve të zhvilluara, shumica e qytetarëve janë shprehur kundër bashkimit me Bashkinë Korçë. Ndërkohë, përfaqësuesit socialistë të Bashkisë Maliq ende nuk kanë bërë publik një qëndrim të qartë lidhur me propozimin për ndryshimin e kufijve administrativë.
