Lajme Zone
Denoncim nga Pediatria e Korçës: Ca punojnë, ca privilegjohen!
PolitikëJOQ Albania

Denoncim nga Pediatria e Korçës: Ca punojnë, ca privilegjohen!

Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një punonjëse e Pediatrisë në Korçë, e cila ngre shqetësimin për atë që e konsideron si trajtim të pabarabartë të personelit infermieror në ndarjen e turneve dhe përfitimin e lejeve.

Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një punonjëse e Pediatrisë në Korçë, e cila ngre shqetësimin për atë që e konsideron si trajtim të pabarabartë të personelit infermieror në ndarjen e turneve dhe përfitimin e lejeve.

Sipas denoncueses, në këtë pavijon nuk zbatohen të njëjtat rregulla për të gjithë punonjësit, ndërsa ndarja e angazhimeve duket se bëhet në bazë të preferencave të drejtuesve.

Ajo pretendon se prej rreth një muaji, një infermiere e cila është kthyer prej një viti nga leja e lindjes nuk përfshihet në turnet e natës dhe as në listën e punonjësve që shoqërojnë pacientët drejt Tiranës. Ndërkohë, pjesa tjetër e stafit, sipas saj, duhet të përballojë deri në dy turne nate në javë dhe të shoqërojë pacientë drejt kryeqytetit pothuajse çdo muaj.

Denoncuesja ka dërguar edhe një fotografi të grafikut të turneve, ku sipas shpjegimit të saj pasqyrohet ndarja e angazhimeve mes infermierëve.

Një tjetër rast që ngre pikëpyetje lidhet me një punonjëse tjetër, së cilës, sipas denoncueses, i janë miratuar pesë ditë leje martese, ndonëse ajo është celebruar rreth 10 vite më parë dhe ka nisur punën në spital kur ishte tashmë e martuar.

Përmes këtij denoncimi, punonjësja kërkon të dijë se mbi çfarë baze janë marrë këto vendime dhe nëse ekzistojnë kritere të njëjta për të gjithë personelin, apo nëse disa punonjës përfitojnë trajtim të veçantë.

Ajo ngre shqetësimin për mënyrën se si menaxhohet personeli në Pediatrinë e Korçës dhe kërkon transparencë nga drejtuesit e institucionit për ndarjen e turneve, shoqërimin e pacientëve dhe miratimin e lejeve.

JOQ Albania mbetet e hapur për një reagim nga drejtuesit e Pediatrisë së Korçës dhe institucionet përgjegjëse, në mënyrë që të sqarohet nëse këto pretendime qëndrojnë dhe mbi çfarë kriteresh janë marrë vendimet në fjalë. Përditësim: Reagon bashkëshorti i infermieres së përmendur në denoncim

Pas publikimit të këtij denoncimi, në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një reagim nga bashkëshorti i infermieres për të cilën pretendohej se po favorizohej në ndarjen e turneve.

Ai sqaron se bashkëshortja e tij ka një fëmijë nën një vjeç dhe se, në bazë të nenit 105, pika 3, të Kodit të Punës, nënat që rikthehen në punë pas lejes së lindjes kanë të drejtë të zgjedhin reduktimin e orarit ditor me dy orë, me pagë të plotë, deri kur fëmija mbush një vjeç. Sipas tij, bashkëshortja ka përfituar këtë të drejtë dhe ka dorëzuar raportin përkatës pranë burimeve njerëzore të institucionit.

Për sa i përket turneve të natës, ai i referohet gjithashtu nenit 108 të Kodit të Punës, i cili parashikon mbrojtje për nënat me fëmijë deri në një vjeç, në rastet kur puna e natës paraqet rrezik për shëndetin ose sigurinë e tyre apo të fëmijës dhe kjo vërtetohet me raport mjekësor.

Bashkëshorti e konsideron denoncimin të pabazë dhe kundërshton mënyrën se si janë paraqitur pretendimet, duke theksuar se situata duhet parë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Megjithatë, reagimi i tij nuk sqaron pretendimet e tjera të ngritura në denoncimin fillestar, lidhur me kriteret e përzgjedhjes së infermierëve që shoqërojnë pacientët drejt Tiranës dhe ndarjen e lejeve të martesës. Për këto çështje, mbetet i mirëpritur edhe një reagim nga drejtuesit e Pediatrisë së Korçës.