Deputeti i Partisë Socialiste dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ka reaguar pas përplasjeve të regjistruara mes protestuesve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike gjatë protestës së sotme në Tiranë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Manja ka ironizuar konfliktin mes palëve, duke u rikujtuar një sugjerim që, sipas tij, ua kishte bërë që më 18 korrik.
Ai u propozon protestuesve dhe demokratëve të ndajnë hapësirat ku zhvillojnë tubimet, duke sugjeruar që njëra palë të qëndrojë në sheshin “Skënderbej”, ndërsa tjetra në bulevard. Sipas tij, sheshi “Nënë Tereza” duhet të lihet si zonë neutrale.
Manja i ka nxitur palët ta zbatojnë këtë sugjerim, duke ironizuar se përplasjet mes tyre po e kthejnë protestën në “gazin e botës”.
Postimi i plotë i Ulsi Manjës:
“Ndajini sheshet, se jua kam dhënë këtë këshillë që më 18 korrik!
Njëra palë të marrë Sheshin Skënderbej, tjetra Bulevardin, ndërsa Sheshin Nënë Tereza lëreni zonë neutrale!
Bëjeni, se jeni akoma në kohë! Se jo vetëm që s’po merreni vesh me njëri-tjetrin, por po na bëni gazin e botës edhe me protestën!
Mos thoni pastaj që s’jua kam thënë!” Top Channel

