Një tjetër aferë e dyshimtë në sektorin energjetik të Kosovës ngre pikëpyetje serioze për mënyrën se si po menaxhohet importi i energjisë elektrike, për të cilën qytetarët paguajnë shtrenjtë. Biznesmeni Gentian Sula, i njohur për kompaninë “NOA Energy Trade”, është rikthyer në biznesin e importit të rrymës përmes kompanisë “Sole 24”, derisa raporti hetimor për dyshimet e manipulimit të çmimeve ende nuk është shqyrtuar nga Bordi i ZRrE-së.
Sipas raportimit të Buletinit Ekonomik, kompania “Sole 24” është angazhuar më 20 gusht 2026 si agjente e KESCO-s për importin e energjisë elektrike. Edhe pse në regjistrat e bizneseve në Kosovë kompania figuron me një strukturë tjetër pronësie, dokumentet nga Shqipëria dhe Zvicra e lidhin pronësinë e saj përfundimtare me Gentian Sulën.
Por skandali më i madh qëndron te heshtja e institucioneve. ZRrE-ja ende nuk ka marrë vendim për raportin e finalizuar që në mars, ku sipas raportimit janë evidentuar dyshime për manipulim të çmimeve të energjisë së importuar gjatë viteve 2024–2025. Qytetarët e Kosovës dyshohet se kanë paguar rrymën me çmime dukshëm më të larta sesa ato në bursat ndërkombëtare.
Ndërkohë, Bordi i ZRrE-së ka pasur në rend dite vazhdimin e licencave për kompanitë “NOA Energy Trade” dhe “EFT”, pa marrë paraprakisht vendim për gjetjet e raportit. KESCO nuk ka dhënë përgjigje për procedurat e përzgjedhjes së “Sole 24”, ndërsa ZRrE nuk ka sqaruar nëse ka verifikuar pronarët përfundimtarë të kompanisë.
Në kohën kur qytetarët përballen me fatura të larta të energjisë elektrike, pyetja që kërkon përgjigje është: Kush po i mbron konsumatorët dhe pse raporti për dyshimet e manipulimit të çmimeve vazhdon të mbetet në sirtar?
Derisa institucionet heshtin, kompanitë vazhdojnë aktivitetin, ndërsa dyshimet për abuzime me çmimet e rrymës mbeten pa një përfundim zyrtar.

